Nuk ka kaluar shumë kohë prejse në futbollin zviceran u festua për golin me “Panenka” të Xherdan Shaqirit nga pika e bardhë. Më 6 nëntor, ai shënoi golin e parë në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër FCSB-së. Baseli fitoi 3:1 dhe çdo gjë ishte në rregull te kjo skuadër falë Shaqirit.
Tri ditë më pas, Shaqiri e mori sërish topin pasi arbitri tregoi në pikën e bardhë. Por në vend që ta kalonte Baselin në epërsi ndaj Luganos, Shaqiri dështoi nga pika e bardhë. Në fakt portieri i Luganos, Amir Shaipi bëri pritje brilante. Dhe në fund Lugano fitoi 1:0.
Të dielën ndaj St. Gallenit, Baseli fitoi tjetër penallti. Shaqiri u shfaq dhe mori përgjegjësinë sërish. Dhe dështoi sërish. Ndeshja përfundoi 0:0.
Fat i keq? Ndoshta. Apo ndoshta jo.
Qëkur është kthyer te Baseli, Shaqiri ka konkretizuar dhjetë penallti. Por po ashtu ka dështuar në pesë goditje nga pika e bardhë. Nuk është bilanc ëndrrash. A po e shqyrton trajneri Ludovic Magnin që ta ndërrojë lojtarin që i gjuan penalltitë?
I pyetur për këtë në konferencë për shtyp pas ndeshjes me St. Gallenin, trajneri i Baselit ka thënë: “Është natyrisht për keqardhje që Shaqiri humbi dy penallti kur rezultati ishte 0:0. Do të shohim çka do të ndodhë herën tjetër. Kemi disa emra të tjerë në listën tonë”.
Ndaj St. Gallenit, Benie Traore do të ishte i dyti në listë, sipas trajnerit Magnin.
Por ai mundohet të minimizojë situatën duke thënë që edhe lojtarët më të mirë në botë kanë humbur penallti.
“Është e sigurt që Shaqirit nuk i duhet ndonjë ndihmë”.
Sa më shumë kohë që kalon, aq më shumë ndihmë i duhet vetë trajnerit. Sidomos në kuptimin e pikëve. Magnin është i vetëdijshëm për këtë.