Futboll

E çmoi çdo mundësi, ngritja e mahnitshme e Vedat Muriqit

Vedat Muriqi

Ishte 7 dhjetori i vitit 2015 kur Vedat Muriqi shënoi “hat-trickun” e parë në karrierën si senior, përkatësisht si lojtar profesionist jashtë vendit. Muriqi, ende emër jo shumë i njohur, po shkëlqente në fitoren 5:1 të Giresunsporit ndaj Bolusporit. Ndeshja i takonte kategorisë së dytë të futbollit turk.
Pakkush atëbotë mund ta ketë parashikuar rrugëtimin e Muriqit në karrierë, përkatësisht arritjen e tij në La Liga dhe shndërrimin në njërin prej sulmuesve kryesorë në futbollin evropian. Por Muriqi ka bërë rritje të pabesueshme dhe tani është emër i njohur në kontinent. Ndër të tjera fundjavën e kaluar shënoi “hat-trick” në kampionatin spanjoll, njërin prej kryesorëve të futbollit.

Muriqi ka avancuar vazhdimisht në karrierë duke punuar shumë, duke mos u dorëzuar para sfidave dhe, që ndoshta është më e rëndësishmja, duke e çmuar çdo mundësi që kishte.

Një deklaratë e tij për KOHËN në atë dhjetor të vitit 2015 e dëshmon këtë.

“Jam shumë i kënaqur me formën personale por edhe të ekipit pasi jemi në vendin e dytë në tabelë, që na dërgon direkt në Superligë. Synimi i parë është që të kalojmë në Superligën turke me ekipin. Pastaj sa i përket golave, dua të arrij të paktën 15 gola. Shpresoj se do ta arrij këtë shifër”, kishte deklaruar Muriqi më 20 dhjetor.

Ai shprehej i vendosur të mos largohej nga Giresunspori në janarin e vitit 2016. Kjo skuadër ia dha rastin dhe i hapi shumë rrugë.

Muriqi e kishte arritur synimin për gola të shënuar. E kishte përfunduar edicionin me 17 gola. Giresunspori nuk ishte inkuadruar në Superligë, por Muriqi u transferua në verën e 2016-s te Gençlerbirligi që garonte në elitën turke.

Rritja e Muriqit në karrierë ishte e vazhdueshme, ndonëse jo pa sfida. Nisi te Liria e Prizrenit, ndërsa herët kaloi në ekipin e të rriturve. Luajti në Superligën e Kosovës për një kohë. Në janar të vitit 2013 kishte provë te Teuta e Durrësit dhe bindi klubin për t’i ofruar kontratë për një vit e gjysmë. Nuk luajti shumë dhe një vit më pas u huazua te Besa e Kavajës. Madje huazimi ishte pjesë e marrëveshjes për kalimin e një lojtari nga Besa te Teuta. Drejtuesit e klubit kavajas megjithatë e vlerësonin cilësor Muriqin.

Menjëherë në verën e vitit 2014, kur i përfundoi kontrata me Teutën, prizrenasi kaloi te Giresunspori në kategorinë e dytë turke. Më pas kishte periudhë solide te Gençlerbirligi në Superligën turke, ndërsa u transferua te Rizespori në kategorinë e dytë turke në janar 2018. 

Doli vendim i qëlluar. Me Rizesporin siguroi kalimin në Superligë të Turqisë, ndërsa në edicionin 2018/19 në elitë i shënoi plot 17 gola dhe bëri tetë asistime në 34 paraqitje.

Siguroi transferim të madh te Fenerbahçe, ndërsa i realizoi 15 gola dhe pesë asistime në 32 paraqitje për këtë skuadër në 32 paraqitje kampionale në edicionin 2019/2020.

Vetëm pas një edicioni u transferua te Lazio në Serie A, ku nuk kishte ndonjë sukses. Dhe në janar 2022 u huazua te Mallorca, ku nisi me gola. Mallorca e transferoi më pas plotësisht dhe Muriqi tashmë është legjendë e kësaj skuadre. 

Si i huazuar i shënoi pesë gola në 16 paraqitje. Më pas i kishte 15 gola në një edicion, nga shtatë në dy edicionet pasuese dhe tani i ka plot 14 gola në 19 paraqitje. 

Aktualisht vetëm Harry Kane, Erling Haaland, Kylian Mbappe dhe Igor Thiago i Brentfordit janë golashënues më të mirë se Muriqi në futbollin evropian.

Pra Kosova me 31-vjeçarin e ka njërin prej realizatorëve më të mirë të kontinentit. 

Muriqi ka pesë gola në tri ndeshjet e fundit me Mallorcan. Të dielën Mallorca ka ndeshje të vështirë në udhëtim ndaj Atletico Madridit. Por me Muriqin në përbërje, çdo gjë është e mundur.