Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Dy top-ndeshje të mërkurën mbrëma

Real Madrid

Dy top-ndeshje do të zhvillohen të mërkurën mbrëma në kuadër të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Në “Santiago Bernabeu” zhvillohet tashmë ndeshja e zakonshme e Championsit mes Real Madridit dhe Manchester Cityt. Kjo ndeshje fillon në orën 21:00.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rrallëherë ekipi me 15 trofe evropianë, Real Madridi, nuk është favorit në Champions. Por këtë herë vlerësohet i tillë. Pos që nuk ka vazhdimësi në formë, Madridi përballet me mungesa të rëndësishme. Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Rodrygo janë të lënduar dhe pritet të mungojnë.

Manchester City e mposhti Ream Madridin në kryeqendrën spanjolle në ligën e fazës dhe është përforcuar edhe më shumë prej atëherë. Antoine Semenyo dhe Marc Guehi iu bashkuan skuadrës së Pep Guardiolas, kurse Rodri është i gatshëm pasi mungoi kohë të gjatë.

Reali e Manchester City takohen për vitin e katërt rresht në fazën nokaut të Championsit. Madridi e eliminoi skuadrën angleze vitin e kaluar, në vitin 2024 dhe më 2022. Ndërkohë City ishte më i suksesshëm në gjysmëfinalen e vitit 2023.

 “Nuk është hera e parë që luajmë në këtë stadium. Kemi ardhur shumë herë dhe shumë prej lojtarëve e njohin stadiumin. Qartë se gjëra të mira nuk mund të ndodhin nëse nuk jeni vetvetja”, ka thënë Guardiola.

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka thënë se asnjëherë nuk duhet të ndihen inferiorë.

“E dimë se sa i mirë është Manchester City, trajneri i këtij ekipi, lojtarët. Por do t’i shikojmë drejt në sy. Të luajmë ndeshje në fazën nokaut të Championsit më motivon dhe si trajner të përballem me më të mirin në botë është shumë motivuese. Do të jetë përvojë e shkëlqyer”, ka thënë Arbeloa.

Në Paris, po prej orës 21:00, takohen fituesi në fuqi PSG dhe Chelsea.

Skuadra londineze kishte mposhtur atë parisiene në finale të Kupës së Botës për klube, verën e kaluar.

Por Championsi është gjë tjetër dhe Parisi ka pretendime për ta fituar sërish trofeun e çmuar.

“Preferojmë ta kemi topin më shumë se kundërshtari, por Chelsea luan në mënyrë shumë efikase. Shpresoj se do të qëndrojmë të qetë. Ndonjëherë në këto ndeshje motivimi i tepruar mund të jetë problem. E dimë se si duam të luajmë dhe dimë si të menaxhojmë këtë falë përvojës që kemi”, ka theksuar trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique.

Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka pranuar nivelin e kundërshtarit.

“Ka lojtarë të nivelit më të lartë botëror dhe trajner të nivelit më të lartë. Por i kemi edhe ne. Duhet të dimë që është sfidë me dy ndeshje, kështu që na duhet disiplina”, ka thënë Rosenior.

Prej orës 21:00 është edhe ndeshja në mes të Bodo/Glimtit dhe Sportingut. Skuadra norvegjeze Bodo/Glimt ka bërë befasi duke arritur në këtë fazë dhe synon tjetër befasi të madhe.

Prej orës 18:45 është ndeshja në mes të Bayer Leverkusenit dhe Arsenalit.