Futboll

Dy futbollistë kalojnë nga përfaqësuesja e SHBA-së tek ajo e Meksikës

Brian Gutierrez dhe Richard Ledezma

Brian Gutierrez dhe Richard Ledezma, që kanë shtetësi amerikane dhe meksikane, kanë finalizuar ndryshimin e përfaqësueses dhe do të garojnë për ekipin nacional të Meksikës pasi më herët luajtën për SHBA-në.

Të dy lojtarët janë të lindur në SHBA, por janë ftuar nga Meksika për miqësoret e këtij muaji ndaj Panamasë dhe Bolivisë.

Sipas “Reuters”, një lojtar me më pak se tri paraqitje për përfaqësuesen seniore, para moshës 21-vjeçare, mund të ndryshojë një herë vendin që përfaqëson.

Ndryshimi është dashur të finalizohet në mënyrë që Gutierrez apo Ledezma të garojnë për Meksikën në Kupën e Botës të këtij viti.

Ledezma 25-vjeçar ka vetëm një paraqitje për SHBA-në, në vitin 2020. Ai ka luajtur për PSV-në, kurse tani është në Meksikë te Chivas.

Gutierres është 22-vjeçar. Ai ka dy paraqitje me SHBA-në. Po ashtu është transferuar te Chivasi në dhjetor, pas gjashtë vjetësh te Chicago Fire.

Meksika e SHBA-ja, së bashku me Kanadanë, e organizojnë Botërorin në verë.