Futboll

Dumfries përfaqëson shkëlqimin e nënvlerësuar të Interit

Denzel Dumfries

Denzel Dumfries e kishte një ëndërr. Por kur 17-vjeçari ua tregoi atë shokëve të ekipit në akademinë e Sparta Rotterdamit, të qeshurat e tyre kërcënuan ta shkatërrojnë atë.

“Ai tha para të gjithëve në dhomën e zhveshjes se do të luante për Holandën”, kujton Dolf Roks, ish-drejtor i Akademisë së Spartës. “Por atëherë ne nuk e shihnim këtë. Të gjithë qeshëm”.

Vendosmëria e Dumfries mbeti. Dymbëdhjetë vjet më pas të gjithë e panë duke shkëlqyer në skenën e madhe. Dumfries tani ka 63 ndeshje për Holandën, por të mërkurën kishte shkëlqimin në skenën më të madhe, atë të Ligës së Kampionëve. Ai asistoi dhe shënoi dy gola për Interin në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Interi luajti 3:3 në Spanjë ndaj Barcelonës.

Historia e Dumfries është historia e Interit. Edhe holandezi e edhe skuadra e tij do të ishin fitues të denjë të Ligës së Kampionëve këtë edicion.

Ndeshja pritej të ishte e tëra për Barcelonën, që kërkon finalen e Championsit pas një dekade. Mungesa në finale përjetohet rëndë te Barcelona.

“Estadi Olimpis Lluis Companys”, shtëpia e përkohshme dhe kryesisht e padëshiruar e Barcelonës, derisa “Camp Nou” po rindërtohet, ishte e mbushur me 50 mijë e 314 shikues, që është numri më i madh prej se Barça u vendos në këtë stadium. Ndihej si natë e Barcelonës, por Interi bëri punën e tij në mënyrë thuajse të padukshme.

Interi mund të mos e ketë favoritin për Topin e Artë, Raphinhan, apo dy prej më të talentuarve në botën e futbollit, Lamine Yamalin e Pau Cubarsin. Por skuadra italiane ka thuajse çdo gjë tjetër që i duhet.

Vetëm 30 sekonda pasi nisi ndeshja, Marcus Thuram shënoi. Epërsia e hershme ishte mesazh, që u dha shpesh gjatë 90 minutave, se Interi nuk është inferior ndaj askujt.

Interi ishte skuadra e heshtur e gjysmëfinales së Championsit, ndonëse ka mbrojtjen më të mirë në garë. Është pritur që italianët të humbin në Barcelonë. Pasi lëshuan epërsi prej 2:0, është pritur që të dorëzohen. Por jo. Interi shënoi për 3:2 dhe ishte vetëm pak centimetra larg golit për 4:3.

Dumfries, që e sanoi një lëndim vetëm këtë javë, ka luajtur për herë të parë nga fillimi në tetë ndeshjet e fundit. Duke u përballur me sulmin më të rrezikshëm në Evropë, ka pasur spekulime që Simone Inzaghi do të aktivizojë Matteo Darmianin, që më pak shkon përpara në krahun e djathtë.

Trajnerit të Interit do t’i vijë mirë që nuk veproi ashtu. Dumfries pos që asistoi për Thuramin në hapje të ndeshjes, i shënoi dy golat e tjerë.

Dumfries ka bërë karrierë si njeri i lirë që askush nuk e merr në konsideratë. Ai nuk u llogarit shumë as në ndeshjen ndaj Barcelonës. Por shkëlqeu me dy gola, ndër të tjera.

Dumfries nuk është lojtari i vetëm i Interit në këtë pozitë. Kapiteni Lautaro Martinez, i cili u bë golashënuesi më i mirë i skuadrës në Ligën e Kampionëve më herët këtë edicion, kishte thënë se ndonjëherë ndihet “i nënvlersuar”. Këtë deklaratë e dha pasi përfundoi vetëm i shtati në votimet për Topin e Artë 2024.

Martinez nuk shënoi dhe u zëvendësua për shkak të një lëndimi që mund ta mbajë jashtë ndeshjes së kthimit që zhvillohet të martën. Por sulmuesi argjentinas ishte në zemër të suksesit të Interit në pjesën e parë. Lëvizja dhe fizikaliteti i tij i çorientuan Cubarsin dhe Ronald Araujon, duke krijuar hapësirë për Thuramin dhe lojtarët e krahut të Interit.

Edhe lojtarët e tjerë të Interit ndihen të nënvlerësuar. Për ata që nuk e përcjellin Serie A, Yann Sommer është një automat zviceran që shfaqet çdo dy vjet në turne të mëdha. Por Sommer bëri pritje vendimtare pas goditjeve të Yamalit dhe Raphinhas për ta mbajtur rezultatin të barabartë. Paraqitja e tij ishte mbresëlënëse, ndonëse pësoi tre gola, njëri prej tyre autogol i pafat.

Francesco Acerbi, i cili u transferua nga Milani në moshën 24-vjeçare si zëvendësim për Alessandro Nestan, u la i lirë nga rivali i qytetit i Interit, pas vetëm gjashtë paraqitjesh. Ndërkohë Acerbi ka mposhtur alkoolizmin, depresionin dhe kancerin në testikuj. 37-vjeçari ishte pjesë e ekipit të Italisë që fitoi Evropianin 2020, por nuk është ftuar në përfaqësuese për gati dy vjet. Acerbi kishte po ashtu ndeshje të madhe ndaj Barçës, në qendër të mbrojtjes.

Darmian dhe Henrikh Mkhitaryan kanë pasur periudha dëshpëruese në Angli më herët në karrierë, por kanë shfaqur nivelin tek Interi, nën urdhrat e Simone Inzaghit. I kritikuar tek Arsenali dhe Manchester Unitedi për mungesë përkushtimi në punë, Mkhitaryan nuk ndalet tek Interi.

Armeni ishte një nga tre lojtarët e formacionit startues të Interit, përkrah Thuramit dhe Hakan Çalhanoglut, që ishin të lirë dhe që kanë mundur të angazhohen nga secila skuadër e madhe. Afrimet e Interit pasqyrojnë një ekip që financiarisht është më i dobët se tre gjysmëfinalistët e tjerë. Interi më shumë ka fituar nga shitja e lojtarëve se që ka shpenzuar për blerje të reja në katër vjetët e fundit.

Nicola Barella e Alessandro Bastoni janë dy prej më të mirëve në Ligën e Kampionëve këtë edicion, por janë lënë në hije të lojtarëve si Yamal, Kvicha Kvaratsklehia dhe Declan Rice. Këtë grup e bashkon Inzaghi, tashmë një nga trajnerët më të mirë në Evropë, i cili vetëm këtë edicion po çmohet sa e meriton. Në aspektin taktik, ekipi i Inzaghit dallohet. I fortë në mbrojtje, me imagjinatë në sulm.

Inzaghi e nxori nga loja Dumfriesin në minutën e 80-të. “Nerazzurrët” po këndonin “unë vetëm ty të dua”, derisa holandezi po largohej nga fusha. Tifozët e Interit kënduan njëjtë edhe kur skuadra humbi në finale të Championsit, dy vjet më parë.

Barazimi në Barcelonë i jep gjasa skuadrës së Interit për të arritur një tjetër finale të Championsit, falë dy golave të Dumfries.

Kur ishte te PSV-ja, Dumfries kishte thënë: “Nëse unë jam golashënuesi i dytë më i mirë këtu, atëherë diçka nuk po shkon si duhet”.

Tek Interi, këtë edicion është i treti. Për holandezin dhe skuadrën jo të vlerësuar sa duhet të Interit, diçka po shkon shumë, shumë mirë.