Futboll

Duka për “përjashtimin e tifozëve nga Kosova”: Gënjeshtër e madhe, maskarallëk

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka

Mediume të shumta në Serbi kanë shkruar të martën që Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të mos ndajë bileta për tifozët nga Kosova, për ndeshjen Shqipëri – Serbi. Disa mediume serbe kanë cituar një medium në gjuhën shqipe, me seli në Zvicër.

Por presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mohuar që kjo është e vërtetë. Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, Duka ka thënë se nuk asnjë vendim të asaj natyre nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe. Është një maskarallëk”, ka thënë Duka të martën pasdite. “Ne i kemi shkruar sot atij mediumi. Të shohim nëse do të përgjigjet”, ka shtuar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

FSHF-ja njoftoi të hënën se për shkak të interesimit të madh për bileta të ndeshjes Shqipëri – Serbi, përzgjedhja e tifozëve do të bëhet në formë “lotarie”. Fillimisht do të jetë e hapur një periudhë aplikimi, ku të gjithë të interesuarit mund të paraqiten për të blerë bileta.

“Pas përfundimit të afatit të aplikimeve do të kryhet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike përmes shortit kompjuterik të aplikantëve, të cilët do të kenë më pas mundësinë për të blerë biletat”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Dhe pas këtij njoftimi, doli lajmi që FSHF-ja ka përjashtuar nga mundësia e blerjes së biletave të gjithë tifozët me pasaportë të Kosovës. Por kjo u mohua nga Duka.

“Sipas vendimit të Federatës shqiptare, që është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave e Shqipërisë, banorët e së ashtuquajturës Kosovë nuk do të kenë mundësi të shikojnë ndeshjen e vlerësuar me rrezikshmëri të lartë. Ky vendim ka shkaktuar zemërim në Prishtinë dhe në pjesë tjera të Kosovës”, ka shkruar sajti “sportal.rs”.

Ky medium serb ka cituar mediumin në gjuhën shqipe me seli në Zvicër. Ndërkohë media të tjera serbe, si “alo.rs”, “novosti.rs” për shkrimin e natyrës së njëjtë kanë thënë se “është njoftuar nga televizioni publik i Kosovës”, ndonëse në faqen e këtij mediumi nuk ka ndonjë shkrim për këtë çështje.

Ndeshja Shqipëri – Serbi zhvillohet më 7 qershor, në Tiranë. U takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Si për Shqipërinë ashtu edhe për Serbinë vlerësohet ndeshje vendimtare në garën për pozitën e dytë në grup.

Interesimi për këtë ndeshje është shumë i madh, sidomos në Kosovë. 20 për qind e stadiumit nuk do të jetë e mbushur me tifozë të zakonshëm, për shkak të një dënimi të FIFA-s ndaj FSHF-së. Ajo pjesë e stadiumit mund të mbushet me grupe të caktuara të komunitetit, duke plotësuar kushte të caktuara nga FIFA. Mbyllja e 20 për qind të stadiumit bën që konkurrenca për një biletë të jetë edhe më e madhe.

Shqipëria tashmë i ka luajtur dy ndeshje kualifikuese për Botërorin 2026. U mposht 2:0 nga Anglia në udhëtim dhe fitoi 3:0 ndaj Andorrës në Tiranë, më 24 mars. Pikërisht në atë ndeshje në Tiranë kishte fyerje ndaj serbëve, për të cilat FIFA e dënoi Federatën Shqiptare.

Për Serbinë ndeshja në Tiranë do të jetë e para e këtyre kualifikimeve. Anglia vlerësohet favoritja e madhe e Grupit K të kualifikimeve, ndërsa Shqipëria e Serbia pritet të luftojnë për vendin e dytë. Në grup janë edhe Letonia e Andorra.