Futboll

Duka për ndeshjen ndaj Serbisë: Incidentet nuk e ndihmojnë askënd

Armand Duka

Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka kërkuar nga tifozët ta përkrahin Shqipërinë e jo të shkaktojnë ndonjë incident në ndeshjen kundër Serbisë. Ai ka theksuar se incidentet nuk e ndihmojnë askënd.

Ndeshja Shqipëri – Serbi luhet të shtunën dhe i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ky duel luhet në Arenën Kombëtare në Tiranë dhe nis në ora 20:45.

“Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara”, ka thënë Duka në një intervistë të publikuar të martën në faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ai pret përkrahje masive nga shikuesit.

“Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur. Uroj mos të jetë presion që e ndrydh ekipin tonë, por të jetë një shtysë për t’i rritur drejt një rezultati pozitiv. Uroj që ekipi jonë ta shfrytëzojë pozitivisht”, ka shtuar Duka.

Duka ka folur edhe Evropiani 2027 për U21 që do të organizohet nga Shqipëria e Serbia.

“Vendimi për të marrë një kampionat me Serbinë nuk është i lehtë. Ky është një organizim sportiv. Kampionatet do të luhen në 2 vende të ndryshme. Mesazhi për mua është pozitiv. Ne duhet të shohim përpara. Gjithë bota flet për marrëdhënie të paqta dhe zhvillim, ndaj edhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u lëmë luftë, por paqe”, ka thënë Duka.

Reagimet për organizimin e përbashkët të Shqipërisë e Serbisë ishin të shumta. Kanë reaguar njohës të futbollit, grupe tifozësh e tifozë të ndryshëm.