Futboll

Duka: Kosova e meriton të jetë në Botëror

Kosova-Suedia

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se Kosova e meriton të jetë në Kampionatin Botëror që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Duka ka theksuar se dy fitoret e Kosovës ndaj Suedisë ishin të merituara. Ai ka dhënë një intervistë për “Euronews Albania” që është publikuar të mërkurën nga FSHF-ja.

“Kosova ka futbollistë shumë të mirë dhe me kualitet. Nuk është fare suprizë që i fiton të dyja ndeshjet. E supermeritoi fitoren në ndeshjen e parë në Prishtinë, e meritoi dhe mbrëmë dhe e meriton të jetë pjesë e Botërorit”, ka thënë Duka.

Aktualisht si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë në vendet e dyta në grupe, që sigurojnë barazhin.

“Do të ishte fantastike nëse do arrijmë të mbështesim dy kombëtare. Por edhe nëse do jetë vetëm një, do ishim të gëzuar”, ka theksuar Duka.

Ai ka thënë se Rey Manaj nuk u ndëshkua me karton të verdhë për festën me shqiponjë.

“Është një abuzim i madh që Rey Manaj mori karton për festimin me shqiponjë. Kjo nuk është një gjë e vërtetë. Manaj mori karton sepse ai shkoi të festonte në pankinën e ekipit kundërshtar që konsiderohet dhe është provokim. Shqiponjën mund ta bësh nga mëngjesi deri në darkë dhe nuk penalizohesh. Jam shumë i lumtur me rezultatin dhe me atë që ka ndodhur në fushë dhe me golin dhe festimin e Reit”.

Duka foli edhe për fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen në Leskovc. Ka thënë se Shqipëria e Serbia nuk dallojnë shumë sa i takon fyerjeve.

“Thirrjet, fatkeqësisht, i kanë shoqëruar përballjet tona me Serbinë në Tiranë dhe në Serbi. Madje, edhe në ndeshjet kur nuk luajmë ndaj Serbisë, thirrjet tona nuk janë më dashamirëse se të tyret; e njëjta gjë edhe për palën serbe. Nga institucionet e futbollit, si FSHF dhe Federata Serbe, si ekipi Kombëtar shqiptar dhe ekipi Kombëtar serb, distancohen plotësisht dhe nuk është që i dëshirojnë këto gjëra. Kjo është një lojë dhe ne duhet ta përjetojmë si të tillë, si një garë që kryen misione bashkimi, ura komunikimi dhe jo përçarje të njerëzve. Shumë keq është që ekzistojnë këto thirrje, por nuk është e vërtetë ajo që thoni ju, që dikush favorizohet dhe dikush penalizohet, sepse fatkeqësisht kemi dëgjuar edhe dje, kur luante Kosova me Suedinë, të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Apo kur luan Shqipëria kundër Andorrës apo Gjeorgjisë, dëgjojmë të njëjtat gjëra që nuk duhet të ekzistojnë. Unë mendoj që kjo ndeshje e Shqipërisë me Serbinë ka dhënë një lloj kontributi pozitiv për të arritur në një lloj sheshimi dhe vështrimi perspektiv të gjërave”.