Pozita e 20-të në fazën e ligës i mundëson Dritës së Gjilanit që të luajë në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Konferencës. Dhe si e 20-ta, Drita do të luajë me skuadrën e vendit të 13-të apo të 14-të. Pra do të luajë me Celjen e Sllovenisë dhe AZ Alkmaarin e Holandës. Shorti do të caktojë kundërshtarin e ekipit të Zekirija Ramadanit.
Celje përfundoi në vendin e 13-të me 10 pikë, ndërsa AZ në vendin e 14-të po ashtu me 10 pikë.
Ka pak gjasa që gjilanasit të dëshirojnë të përballen me AZ Alkmarin. Nga kjo skuadër pësuan 3:0 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës. Ajo ndeshje u luajt më 11 dhjetor.
Po me 3:0, Drita u mposht edhe të enjten mbrëma në Madrid nga Rayo Vallecano. Por kampionia e Kosovës ishte e pamposhtur në katër ndeshjet e para të fazës së ligës. Falë dy barazimeve dhe dy fitoreve, mblodhi tetë pikë që i mundësojnë avancimin në fazën nokaut. Për Dritën është sukses historik, siç ishte edhe kualifikimi në fazën e ligës.
AZ Alkmaari i ka bërë menjëherë një prezantim të ri Dritës dhe Noah të Armenisë, që është kundërshtari tjetër i mundshëm. Natyrisht është paraqitur edhe fitorja në Prishtinë.
Alkmaari kishte pretendime që të kualifikohej direkt në një të tetën e finales. Por për vend në tetë më të mirët i janë dashur 13 pikë. Skuadra holandeze luajti vetëm pa gola me Jagiellonian polake, të enjten mbrëma në shtëpi.
Alkmaari në kampionatin holandez është në vendin e gjashtë me 25 pikë. Ka një ndeshje më pak të luajtur se skuadrat e tjera.
Edhe te Celje e Sllovenisë kanë shpresuar për kualifikim direkt në një të tetën e finales. Kjo skuadër megjithatë luajti vetëm pa gola në shtëpi me skuadrën nga Irlanda, Shelbourne, në xhiron e fundit të fazës së ligës.
Për Dritën mund të jetë trimërues fakti që fitoi 1:0 ndaj Shelbournet në Irlandë, në kuadër të xhiros së tretë. Skuadra irlandeze nuk e ka shënuar asnjë gol në fazën e ligës, ndërsa barazoi me “rezultat të bardhë” edhe me Hackenin suedez.
Shelbournen e ka mposhtur edhe Shkëndija në Shkup, 1:0.
Celje megjithatë nuk do të ishte kundërshtar i lehtë për Dritën. Në kampionatin slloven udhëheq bindshëm me 43 pikë nga 18 ndeshje, plot 12 më shumë se Koperi e Maribori. Te Celje luan Milot Avdyli, që është prej lojtarëve më të rëndësishëm.
“Nuk do të lejoj të jemi të dëshpëruar apo të pakënaqur. Prapa nesh është viti më i suksesshëm në histori të Celjes. Vitin e kaluar kemi kërcyer nga gëzimi për 7 pikë dhe vendin e 21-të. Tani kemi 10 pikë në vendin e 13-të. Në fund, edhe me 12 pikë nuk do të ishim në tetë më të mirët”, ka thënë trajneri i Celjes, Albert Reira.
Kampionatin e kaluar Celje e përfundoi në vendin e katërt në Slloveni.
Shorti i fazës së plejofit tërhiqet më 16 janar. Ndeshjet luhen më 19 dhe 26 shkurt. Për herë të parë një skuadër kosovare “dimëron” në garat evropiane. Ballkani kishte arritur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, por pa avancuar tutje.