Futboll

Drita “e lodhur” përballet me Gjilanin në formë

Drita - Gjilani

Drita ka zhvilluar dukshëm më shumë ndeshje se skuadrat e tjera kundërshtare në Kosovë në këtë sezon, për shkak të pjesëmarrjes në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Dhe për këtë arsye, trajneri Zekirija Ramadani ka theksuar se skuadra është “e lodhur”. Por, tekniku shkupjan ka nënvizuar se lodhja do të harrohet të dielën, kur përballë kampiones do të jetë Gjilani. Ndeshja derbi e qytetit të Gjilanit do të luhet nga ora 13:00, në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Drita është e pesta në tabelë me 25 pikë, dy më shumë se Gjilani që është i gjashti. Por, Drita e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Për kohë të gjatë, ky ishte bindshëm derbi më i madh në vend, ndërsa tani vazhdon të jetë derbi më i madh lokal. Renovimi i tejzgjatur i stadiumit të qytetit në Gjilan, e ka zbehur goxha shumë, sidomos sa i takon atmosferës së tifozëve.

Por, rivaliteti nuk mungon.

“Nesër është derbi i vështirë, derbi i Anamoravës, derbi i qytetit. Është ndeshje mjaftë e vështirë dhe e dimë se çfarë do të thotë ky derbi për tifozët. Do të jetë ndeshje me shumë volum, por duhet të kemi kujdes. Do të bëjmë rotacione me futbollistët që të jenë më të freskët sepse në derbi duhet të jepet maksimumi. Derbit nuk i dihet”, ka deklaruar ndër të tjera tekniku shkupjan në konferencën për shtyp.

Në konferencë të shtunën është paraqitur edhe Kristal Abazaj, njëri prej më të mirëve te skuadra “bardhekaltër”. Ai ka thënë se ekipi është përgatitur mirë. Edhe Abazaj e pranoi lodhjen pas ndeshjeve në Evropë.

“Deri diku jemi të lodhur pasi kemi pasur shumë ndeshje në këto kohë, por është shumë normale për pozitat ku jemi ne dhe suksesin që kemi arritur, dhe nuk ndikon në nivelin e performancës si dhe në objektivin që kemi”, theksoi Abazaj.

Ndeshjen e parë në këtë edicion mes vete e fitoi Drita, 2:1.

Në atë kohë Gjilani udhëhiqej nga trajneri shkupjan, Ardian Nuhiu. Pas largimit të tij, vendin e zuri trajneri Debatik Curri. Për trajnerin Curri do të jetë derbi i parë në krye të skuadrës. “Jemi në moment të mirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Përballemi me kundërshtar tejet cilësor që ka zhvilluar ndeshje të mira edhe në arenën ndërkombëtare. Mirëpo, ne duhet të fokusohemi te ndeshja jonë. Për mua është ndeshja e parë në derbi dhe kam ndjesi të mirë”, është shprehur Curri të shtunën në konferencë.

Drita në këtë ndeshje vjen pas disfatës 3:0 në “Fadil Vokrri” nga AZ Alkmaari në Ligën e Konferencës. Fitoren e fundit në Superligë e ka më 22 nëntor ndaj Prishtinës së Re. Ndërkohë Gjilani ka ecuri prej tri fitoreve rresht në ligë dhe në Kupë, ndërsa është pa humbje në gjashtë ndeshjet e fundit zyrtare. Ka dy barazime e katër fitore.  “Ndeshjet derbi janë të veçanta dhe nuk shikohet renditja tabelore apo forma e skuadrave. Kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën edhe tani nuk ka se si të jetë ndryshe”, theksoi Curri. Te Gjilani në dyshim për të luajtur mbetet Robert Rrahmani, i cili ka stërvitur individualisht.