Situatë për Dritën e Gjilanit sa shkon e rëndohet. Të martën Komisioni Disiplinor dhei Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar klubin gjilanas me zhvillimin e katër ndeshjeve në terren të vet pa praninë e shikuesve dhe me gjobë prej 1500 euro.
Ky dënim Dritës i është shqiptuar për lëshim në organizimin e ndeshjes gjysmëfinale të Kupës ndaj Prishtinës. Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 24 prill në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Dritës manifestuan sjellje të ashpra, josportive, e të cilat dëmtojnë autoritetin sportiv të futbollit. Sjelljet e tyre janë manifestuar me gjuajtje të gjësendeve të palejuara në drejtim të lojtarëve të Prishtinës, përafërsisht 25 shishe plastike. Tifozët e Dritës kalojnë rrethojat, duke depërtuar në fushë dhe duke u konfrontuar drejtpërdrejt fizikisht me zyrtarët e klubit Drita”, shkruan në arsyetim të vendimit.
Sipas njoftimit të FFK-së “vendimi është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të federatës”.
Pas asaj ndeshjeje dhe konfliktit në stadium, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, i shoqëruar me persona të tjerë të klubit dhe të afërt me të, kishin sulmuar në lokalin e tij udhëheqësin e tifozëve “Intelektualët”. Zymberi ishte ndalur për 48 orë dhe tani i është shqiptuar masë më e lehtë nga organet e drejtësisë. Drita i ka dalë në mbrojtje Zymberit, derisa ka dënuar dhunën. Ai vazhdon ta mbajë postin e drejtorit.
Drita u eliminua nga Kupa dhe bëri hap të madh prapa në garën për titull. Me dënimin e ri gjasat e Dritës për të vazhduar garën për titull zvogëlohen edhe më shumë. Deri në fund të kampionatit Drita nuk do ta ketë përkrahjen e shikuesve në ndeshjet si vendase.
LEXO EDHE: