Rezultatet e fundit të Tottenham Hotspurit kanë bërë që shumë tifozë ta kërkojnë shkarkimin e trajnerit, Thomas Frank.
Tottenhami në pesë ndeshjet e fundit në Premier League ka regjistruar tri disfata, një barazim dhe një fitore.
Tottenhami të dielën u mposht thellë nga Nottingham Foresti me rezultatin, 3:0.
Mediumet angleze kanë raportuar të martën se pavarësisht mungesës së rezultateve pozitive, Frank e ka besimin e plotë nga drejtuesit e klubit. Ai nuk rrezikon të shkarkohet.
52-vjeçarit Frank do t’i jepet koha e nevojshme për të ndryshuar gjërat.
Pas 16 xhirove të luajtura në kampionatin anglez, Tottenhami ka 22 pikë dhe e zë vendin e 11-të. Ka mbetur prapa në garën për titull kampioni.
Danezi Frank, shef i shtabit teknik te Tottenhami u emërua më 1 korrik. Kontrata me klubin e madh anglez i përfundon në verën e vitit 2028.
Frank deri më tani e ka drejtuar Tottenhamin në 25 ndeshje, duke shënuar dhjetë fitore, gjashtë barazime dhe nëntë humbje.
Frank në të kaluarën ka qenë edhe trajner i klubit tjetër anglez, Brentford.