Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Dramë në xhiron e fundit të La Ligas

Vedat Muriqi

Xhiroja e fundit e kampionatit elitar në Spanjë do të ofrojë dramë për shikuesit.

Më shumë se gjysma e ekipeve të La Ligas luftojnë për një vend në kupat evropiane, apo për ta shmangur largimin nga elita.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Njëra prej skuadrave të përfshira në luftën për mbijetesë është Mallorca e Vedat Muriqit.

Mallorca luan ndaj Oviedos, që është skuadra e vetme pa gjasa për ekzistencë.

Kjo ndeshje luhet nga ora 21:00, të shtunën, njësoj si edhe nëntë ndeshje të tjera. Vetëm dueli Villarreal – Atletico Madrid luhet të dielën nga ora 21:00.

Mallorca i ka dhjetë pikë më shumë se Oviedo dhe është në pozitën e parafundit. Një pikë më shumë se Mallorca e ka Girona në vendin e 18-të që po ashtu nuk e ka të sigurt qëndrimin. Elche në vendin e 17-të, Osasuna e 16-ta dhe Levante e 15-ta i kanë nga 42 pikë. Nga këto skuadra më së shumti rrezikon Mallorca e Muriqit, golashënuesit të dytë më të mirë në ligë me 22 gola, dy më pak se Kylian Mbappe.

Mallorca duhet të fitojë patjetër, por i duhen edhe disa rezultate të favorshme për ta shmangur rënien. Vetëm fitorja nuk do të mjaftonte.

Ekipit të udhëhequr nga Martin Demichelis i duhet që Girona, Getafe dhe Real Betisi, të fitojnë përballë Elches, Osasunas dhe Levantes. Nëse ndonjëra prej këtyre ndeshjeve nuk shkon sipas këtij skenari, Mallorca bie nga liga.

Dhe nëse Mallorca bie nga liga, nga skuadra do të largohen shumë lojtarë. Prej tyre edhe ylli i Kosovës, Muriqi, për të cilin janë interesuar Galatasaray dhe Fenerbahçe, pavarësisht se “pirati” ka kontratë deri në vitin 2029.

Muriqi në elitën turke luajti për një sezon te Fenerbahçe dhe i shënoi 17 gola në të gjitha garat. Ai në Turqi ka luajtur edhe për Rizesporin, Genclerbirligin dhe Giresunsporin.

Në garë për Ligën e Evropës dhe kualifikimet e Ligës së Konferencës janë plot pesë ekipe, nga pozita e gjashtë deri në pozitën e 11-të. Real Sociedadi do të luajë në Ligën e Evropës si fitues i Kupës së Mbretit. Celta e gjashta i ka 51 pikë, Getafe e shtata i ka 48 pikë. Në pozitën e tetë është Rayo Vallecano, finalisti i Ligës së Konferencës. Vallecano luan ndaj Crystal Palacet në finalen e 27 majit në Leipzig. Nëse e fiton, edhe kjo skuadër do të paraqitet në Ligën e Evropës edicionin e ardhshëm. Valencia e nënta i ka 46 pikë, ndërsa Sociedadi i 10-ti, Espanyoli i 11-ti dhe Athletic Bilbao i 12-ti, i kanë nga 45 pikë.