Gara për titull në Serie A sa shkon e bëhet më dramatike.
Të dielën mbrëma u luajtën ndeshjet e xhiros së parafundit, përkatësisht të xhiros së 37-të. Dhe rezultatet e shënuara në ndeshjet me fund të jashtëzakonshëm kanë bërë që Napoli të mbetet lider një xhiro para fundit.
Interi kishte rast të artë që të dal në vendin e parë. Ishte duke fituar 2:1 ndaj Lazios deri në minutën e 90-të. Por skuadra nga Roma barazoi 2:2 në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe kështu Interi mbetet i dyti. Edhe Napoli u ndal në barazim. Luajti pa gola në udhëtim te Parma. Napoli tani i ka 79 pikë, një më shumë se Interi i vendit të dytë.
Ndeshja në “Giuseppe Meazza” ishte dramë e vërtetë.
Yann Aurel Bisseck e shënoi golin e parë për Interin në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Lazio u kthye në lojë në pjesën e dytë dhe barazoi në 1:1 me golin e Pedros në minutën e 72-të.
Në minutën e 80-të Interi e shënoi golin e epërsisë, që u mendua të jetë edhe i fitores. Pas krosimit të bukur të Hakan Çalhanoglut, Denzel Dumfries shënoi me goditje me kokë për rezultatin 2:1. Shifrat nuk ndryshuan deri në minutën e 90-të kur Pedro shënoi nga pika e bardhë për 2:2. Interi kishte raste në minutat shtesë, por nuk konkretizoi më.
Ndërkohë Napoli e kishte dominimin në ndeshjen ndaj Parmas, por pa shënuar. Në minutat shtesë u dha penallti për Napolin. Pas rishikimit të VAR-it u anulua penalltia dhe u dha faul për Parman. skuadra e Amir Rrahmanit megjithatë mbetet lidere.
Napoli ka lëshuar pikë në ndeshjen e dytë rresh.t Në xhiron e kaluar luajtur 2:2 me Genoan në shtëpi.
Në xhiron e ardhshme Napoli e pret Cagliarin, ndërsa Interi luan në udhëtim ndaj Comos. Ndeshjet e xhiros së fundit janë më 25 maj.