Portieri Gianluigi Donnarumma ka thënë se e ka pasur të vështirë ta festonte triumfin në Ligën e Kampionëve para italianëve të Interit.
Kapiteni i Italisë ka folur të mërkurën në konferencën për shtyp, para ndeshjes në udhëtim ndaj Norvegjisë. Ndeshja Norvegjia – Italia luhet nga ora 20:45 të premten.
PSG-ja të shtunën e kaluar në finalen e Munihut fitoi me rezultatin 5:0.
Tani gjithë italianët janë mbledhur në përfaqësuese. Përveç Donnarummas, janë lojtarët e Interit, Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Nicolo Barella dhe Davide Frattesi.
“Pas ndeshjes nuk kam folur por ka qenë një përqafim i ngrohtë e i sinqertë me bashkëlojtarët tek Italia dhe jam i lumtur për këtë. Po ashtu nuk jam kënaqur shumë me triumfin në Ligën e Kampionëve sepse në krahun e kundërt ishin vëllezërit e mi me të cilët kam shumë kujtime. Në grumbullim nuk kemi folur për ndeshjen, nuk kemi bërë as shaka. Kemi folur vetëm për dy ndeshjet e ardhshme dhe për të dhënë gjithçka”, ka deklaruar Donnarumma.
Pas ndeshjes me Norvegjinë, Italia më 9 qershor e pret Moldavinë.
Të dyja ndeshjet i takojnë Grupit I kualifikues të Kupës së Botës 2026.