Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Donat Rrudhani transferohet te Sioni, firmos deri në vitin 2029

Donat Rrudhani

Donat Rrudhani ka ndryshuar skuadër, por ka mbetur në Superligën e Zvicrës në futboll.

Lojtari i krahut të majtë është transferuar nga Young Boysi te Sioni. Me Sionin ka firmosur kontratë për katër vjet, të vlefshme deri në vitin 2029.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

26-vjeçari Rrudhani nuk ka mundur të stabilizohet tek Young Boysi dhe për këtë arsye ka vendosur për klub të ri. Pjesë e Young Boysit ishte nga viti 2022, por kishte periudha huazimi te Lausanne-Sport dhe së fundi te Luzerni. Ka luajtur edhe për Aaraun tri vjet dhe për disa skuadra më të vogla zvicerane. Karrierën e ka nisur në Francë.

Rrudhani i ka 16 ndeshje e dy gola për Kosovën. Por për ndeshjet e shtatorit është vetëm në listën rezervë.

I ka kushtuar mungesa e paraqitjeve në nivel klubesh. Në edicionin e kaluar në 30 ndeshje për Luzernin i shënoi nëntë gola dhe i bëri gjashtë asistime. Këtë edicion nuk ka luajtur ende.

Sioni e ka prezantuar si lojtar që mund të luajë në qendër dhe në krahë. Te Sioni presin nga Rrudhani kreativitet, vizion dhe aftësi të shënimit të golave.

“Donati është lojtar i kompletuar. Punon fort dhe është ambicioz. Ai e njeh ligën zvicerane mirë dhe ka treguar gjëra të mëdha te Luzerni. Profili i tij përshtatet në mënyrë të përkryer me atë që e kemi kërkuar për mesfushën tonë”, ka thënë Barthelemy Conctantin, drejtor sportiv i Sionit.

Menjëherë të premten Rrudhani u bashkua me skuadrën.

“Jam shumë i lumtur që i bashkohem një klubi si Sioni. Kam ndier përkrahje nga menaxhmenti dhe kam vërejtur se projekti është i duhuri. Skuadra më ka pritur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mezi pres të vë aftësitë e mia në dispozicion të ekipit”, ka thënë Rrudhani.

Kreshnik Hajrizi, Benjamin Kololli, Rilind Nivokazi e Altin Shala janë te Sioni.

Sioni e ka nisur edicionin në Zvicër me dy fitore e një barazim. Pritet të luftojë për pjesën e epërme të tabelës.