Futbollisti i talentuar shqiptar, Lorent Talla, është duke u kërkuar nga disa klube në Angli dhe në Francë, ka raportuar “EFL Analysis”.
Futbollisti i Queens Park Rangers në Championshipin anglez luan në pozitën e mesfushorit ofensiv. Ai është pjesë e QPR-së që nga mosha 12-vjeçare.
Siç ka shkruar “EFL Analysis”, Swansea City dhe Cardiff City janë skuadrat angleze të interesuara për Tallën. Ndër të interesuarit për të janë edhe dy skuadrat nga Ligue 1 në Francë, Strasbourgu dhe Reims.
Sipas artikullit të publikuar, 20-vjeçari që ka pasur paraqitje për Kosovën U19, ka pasur vetëm një paraqitje sivjet në ekipin e parë të QPR-së për shkak të lëndimeve të pësuara.
Megjithatë, ai ka regjistruar tri asistime në gjashtë paraqitje për QPR-në U21. Ai po hyn në vitin e fundit me kontratën aktuale dhe nuk ka diskutime për zgjatje.
Shefi ekzekutiv i QPR-së, Christian Nourry, pati vlerësuar lartë futbollistin kur ai hyri në ekipin e parë.
“Lorenti ka punuar shumë për të arritur këtë hap dhe ka potencial serioz si numër 10. Deri në ardhjen time këtu, ai identifikohej si lojtar me atributet e duhura për të vazhduar përpara. Por puna më e madhe e pret”, pati deklaruar Nourry.
Talla është paraqitur tre herë në vitin 2023 për Kosovën U19. Dy paraqitje i ka pasur edhe për Shqipërinë U19.