Portieri i Bundesligës, Diant Ramaj, nuk do të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Këtë e ka bërë të qartë menaxheri i Ramajt, Jurgen Schwab.
Së fundi ka pasur raportime se Diant Ramaj do të bashkohet me “Dardanët” që nga nëntori. Por 24-vjeçari shumë herë ka përsëritur se dëshiron të paraqitet për Gjermaninë. Ai është pjesë e Borussia Dortmundit, i huazuar te Heidenheimi, skuadra tjetër e Bundesligës.
Është gazeta e madhe gjermane “Bild”, që ka shkruar për qëndrimin e Ramajt.
“Raportimet janë përfundimisht false. Interesimi nga Kosova është i ditur dhe e gëzon Diantin. Por ai e ka bërë të qartë: ai nuk do të luajë për Kosovën, nuk është çështje për të”, ka thënë menaxheri Schwab për gazetën gjermane.
Ramaj është zhvilluar në disa skuadra gjermane, ndërsa shpërtheu pas kalimit nga Eintracht Frankfurti tek Ajaxi në vitin 2023. Në fillim të këtij viti e transferoi Dortmundi, por e huazoi fillimisht te Copenhageni në Danimarkë e më pas te Heidenheimi. Ai ka luajtur për Gjermaninë U18, U19 dhe U20.
Deri më tani nuk është përmendur si opsion për Gjermaninë A, ndonëse e ka shprehur vazhdimisht këtë synim.
“Bild” shkruan se Ramaj po shkëlqen te Heidenheimi me pritje të shumta vendimtare.
Portier i parë i Kosovës është Arijanet Muriq, që po bën karrierë në Serie A. Por Muriq është i suspenduar për ndeshjen ndaj Sllovenisë, që zhvillohet më 15 nëntor në Lubjanë. Kështu rastin pritet ta fitojë Amir Shaipi, që ka humbur vendin te Lugano. Ai së fundi është aktivizuar më 31 gusht. Portier i tretë i Kosovës është Visar Bekaj, që paraqitet në kategorinë e dytë turke.
Kosovës do t’i kryente shumë punë edhe një tjetër portier cilësor. Por Ramaj, të cilin FFK-ja e ka kontaktuar shumë vjet më parë, nuk do të jetë në konkurrencë me Aro Muriqin dhe të tjerët.
Kosova është në garë për kualifikim në Botëror. Nëse shmang humbjen nga Sllovenia e siguron plejofin. Tri ditë pas ndeshjes me Slloveninë, Kosova e pret Zvicrën.