Futboll

Deshishku flet për ndikimin brazilian tek ai

Deshishku

Përfaqësuesja U17 e Austrisë po shkëlqen me pesë fitore nga po aq ndeshje të luajtura dhe me 14 gola të realizuar e një të pranuar. Të gjitha këto, Austria U17 i ka arritur në Botërorin që po organizohet në Katar.

Austria U17 e mposhti Anglinë 4:0 të martën në Doha, ndërsa Hasan Deshishku realizoi supergol për 1:0. Deshishku është 17-vjeçar dhe luan si sulmues i krahut, ndërsa në këtë Botëror i ka katër gola të realizuar.

Ai për faqen zyrtare të FIFA-s ka deklaruar se loja e tij është ndikim i futbollit brazilian.

“Unë kënaqem duke e shikuar Vinicius Juniorin dhe Neymarin. Më pëlqejnë lëvizjet që bën Neymari me topin. Kënaqem me stilin brazilian, me jogo boniton!”, ka deklaruar Deshishku.

Austria në çerekfinale luan të premten me Japoninë nga ora 13:30. Deshishku aktualisht luan te të rinjtë e Austria Vjenës.