Futboll

Derbi i Manchesterit në Premier League

Manchester United

Derbi i parë i Manchesterit për vitin 2026 do të luhet në “Old Trafford”, me skuadrat që janë në pozita krejt të ndryshme.

Natyrisht, xhiroja e 22-të e Premier Leagues do të karakterizohet me derbin e madh ndërmjet Manchester Unitedit dhe Manchester City.

Derbi i Manchesterit zhvillohet të shtunën nga ora 13:30. Është njëri prej derbive më të mëdhenj në futbollin anglez.

Teksa City vazhdon luftën për titull kampioni, Unitedi fillon një kapitull të ri nën drejtimin e Michael Carrick.

Unitedi ka pasur telashe të mëdha. “Djajtë e Kuq” javën e kaluar vendosën që t’i ndajnë rrugët me trajnerin portugez, Ruben Amorim.

Pas largimit të Amorimit, për dy ndeshje Unitedin e drejtoi ish-mesfushori, Darren Fletcher. Të dielën e kaluar, nën drejtimin e Fletcherit, Unitedi u eliminua nga Kupa FA.

Të martën, Manchester Unitedi vendosi që anglezin Michael Carrick ta vendosë në krye të shtabit teknik deri në përfundimin e edicionit 2025/26.

Unitedi shpreson që me trajnerin e ri të ketë rezultate pozitive në elitë.

Aktualisht, Unitedi, ka mbetur prapa. Ka 32 pikë dhe e zë vendin e shtatë.

City qëndron dukshëm më mirë në renditje. Ka 43 pikë në pozitën e dytë. Lider është Arsenali me gjashtë pikë më tepër.

Unitedi nuk ka arritur të shënojë gol në katër nga pesë ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League kundër Cityt.

Të dyja skuadrat kanë nga tri barazime rresht në kampionat. 

“Djajtë e Kuq” kanë fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit të Premier Leagues.

Manchester Unitedi ndaj Cityt do të jetë pa Noussair Mazraouin, Matthijs de Ligtin dhe Shea Laceyn. Ndërkohë Cityt do t’i mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Omar Marmoush, Nico Gonzalez, John Stones, Joshko Gvardiol e Ruben Dias.

Të shtunën luan edhe lideri, Arsenali. Nga ora 18:30, Arsenali përballet në udhëtim me Nottingham Forestin.

Nottinghami ka 21 pikë dhe e zë vendin e 17-të.