Selektori i Senegalit, Pape Thiaw, është dënuar me pesë ndeshje pas skenave kaotike në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës ndaj Marokut në këtë muaj.
Konfederata e Futbollit të Afrikës e ka gjobitur Thiaëin me 100 mijë funte.
Në arsyetimin e dënimit thuhet se ai është shpallur fajtor për “sjellje josportive” dhe për “ndërprerjen e ndeshjes”.
Ishte vetëm një nga shumë dënime që janë ndarë, e që e arrijnë shifrën e afro 1 milionë funteve.
Finalen e 18 janarit në Rabat e fitoi Senegali 1:0, pas vazhdimeve.
Skenat kaotike u shfaqën në fundin e ndeshjes. Senegalit iu anulua fillimisht një gol për të cilën senegalezët pretenduan se ishte i rregullt, ndërsa më pas u akordua penallti për Marokun në kohën shtesë. Në atë moment, selektori i Senegalit ftoi lojtarët që të dalin nga fusha. Por më pas, lojtarët e Senegalit u kthyen pas 17 minutave me ftesën e Sadio Manes. Penalltinë e humbi Brahim Diaz që tentoi të shënonte me panenka dhe ndeshja shkoi në vazhdime.
Pape Gueye në vazhdime e shënoi golin e fitores, që ishte edhe i triumfit të dytë për Senegalin në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Sulmuesit e Senegalit, Iliman Ndiaye dhe Ismaila Sarr u dënuan me dy ndeshje moslojë për “sjellje të pahijshme ndaj gjyqtarit të ndeshjes”, ndërsa Federata e Futbollit e Senegalit, u dënua me totalin e 615 mijë dollarëve.
Dënim me tri ndeshje dhe gjobë 100 mijë dollarë, ka marrë edhe sulmuesi i Marokut, Ismael Saibari, ndërsa mbrojtësi i Marokut, Achraf Hakimi, u dënua me dy ndeshje.