Futboll

Dellova mund të shitet në Turqi

Lumbardh Dellova

Trajneri boshnjak i CSKA Sofjes, Dushan Kerkez, nuk ka garantuar se qendërmbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, do të mbetet te skuadra e CSKA Sofjes.

Kerkez shpreson ta ketë në skuadër, por ka lënë të kuptohet se Dellova mund të largohet gjatë kësaj vere.

Mediumet bullgare kanë raportuar se CSKA-ja mund ta shesë Dellovën në një skuadër të Superligës së Turqisë.

“Lumbardh Dellova është aktualisht në CSKA. E dua në ekip, por afati i transferimeve është i gjatë dhe gjithçka ndodh”, ka thënë Kerkez.

Dellova ka treguar paraqitje të mira në edicionin 2024/2025 me fanellën e klubit bullgar. Po ashtu është vlerësuar për paraqitje edhe te Kosova.

26-vjeçari iu bashkua vitin e kaluar ekipit bullgar nga Ballkani i Suharekës, ndërsa ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.

Në 36 ndeshje në të gjitha garat për CSKA-në, ka shënuar dy gola. Ka kontribuar edhe me dy asistime. Dy gola ka shënuar edhe për Kosovën në 15 ndeshje.

Po luan përkrah kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani. Futbollisti i Napolit, është një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A.