Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Dekada e Kosovës në UEFA

Kosova (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Me rezultat të ngushtë, 28:24, u mor vendimi për pranimin e Kosovës në UEFA. Po me rezultat të ngushtë, 1:0, Kosova humbi më 31 mars nga Turqia, në finale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026 në futboll.

Ajo ndeshje dëshmon se sa shumë është zhvilluar futbolli kosovar gjatë një dekade sa është pjesë e shtëpisë evropiane të futbollit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Federata e Futbollit e Kosovës është pranuar saktësisht dhjetë vjet më parë në UEFA. Vendimi u mor në Kongresin e mbajtur më 3 maj 2016 në Budapest. Rezultati i votimit, ashtu si pritej, ishte i ngushtë. 28 vota ishin pro pranimit të Kosovës, ndërsa 24 kundër. Dy vota ishin të pavlefshme.

Pranimi në Konfederatën Evropiane të Futbollit i dha fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar. Dhe hapi dyert e mëdha për gjithë futbollin kosovar. Dhjetë ditë më pas, më13 maj 2016, Kosova u pranua në FIFA. Në vjeshtën e atij viti, Kosova nisi me ndeshje kualifikuese. Më pas me ndeshje evropiane nisën edhe klubet kosovare.

Prej atëherë zhvillimi i futbollit të Kosovës ishte i hovshëm. Fakti se Kosova iu afrua shumë pranë Botërorit që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada e dëshmon këtë.

Kosova A tashmë i ka kompletuar tri cikle kualifikuese për Botëror. Ka kompletuar dy cikle kualifikuese për Evropian dhe i ka katër kampanja në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Në Ligën e Kombeve prej nivelit të katërt, përkatësisht Ligës D, është ngritur në nivelin e dytë, përkatësisht në Ligën B. Ndeshjet e ardhshme i luan në vjeshtë të këtij viti.

Në ranglistën e FIFA-s për përfaqësueset më të suksesshme, Kosova është e 78-ta. Është pozita më e mirë deri më tani.

Kosova i ka të konsoliduara edhe të gjitha përfaqësueset e grupmoshave. Po ashtu të futbollisteve dhe atë të futsallit. Te futbollistet, Kosova është e 81-ta në ranglistë, që po ashtu është pozita më e mirë ndonjëherë.

Klubet e vendit gjithashtu kanë bërë ecje të madhe në garat e UEFA-s. Drita në edicionin aktual është paraqitur në fazën e ligës në “Conference League”. Përfundoi në pozitën e 20-të prej 36 skuadrave dhe avancoi në fazën nokaut, ku u ndal nga Celje e Sllovenisë. Më herët, Ballkani është paraqitur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

UEFA ndan para të majme për klubet që paraqiten në garat e saj, e edhe më shumë për klubet që kanë suksese në to. Katër skuadra kosovare e kanë të drejtën të garojnë në kupat evropiane në edicionin e ardhshëm. Kampioni do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa fituesi i Kupës, nënkampioni dhe skuadra e vendit të tretë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Pranimi në UEFA e ndërkohë edhe në FIFA, bëri që të hyrat për Federatën e Futbollit të Kosovës të jenë shumë të mëdha. Kjo natyrisht ka ndikuar në rritjen e FFK-së në shumë drejtime. FFK-ja mburret për implementimin e sistemit VAR para shumë vendeve të regjionit dhe me plot projekte të tjera, shumë prej tyre të realizuara nga mjetet e siguruara nga UEFA e FIFA.

Ka po ashtu punë që vlerësohet se është mundur të bëhen më mirë gjatë dekadës së parë në UEFA.

Infrastruktura mbetet ende e zbehtë, me gjithë investimet e mëdha dhe të vazhdueshme. Thuajse të gjitha qytetet e mëdha janë pa stadiume të denja, ndonëse në shumë qytete është duke u punuar për to. I vetmi stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare është “Fadil Vokrri”. Stadiumi i qytetit në Prishtinë tani e mban emrin e legjendës Vokrri, që ishte në krye të FFK-së kur erdhi pranimi në UEFA e FIFA. Vokrri vdiq më 9 qershor 2018.

Infrastruktura nuk është “e keqja” e vetme e futbollit kosovar. Akuzat për kurdisje vazhdojnë të paraqiten nga viti në vit, sidomos në pjesën përfundimtare të kampionatit.

Udhëheqësia aktuale e Federatës, përkatësisht presidenti Agim Ademi me ekipin e tij, ka disa vjet që e ka përkrahjen e madhe të komunitetit të futbollit në vend. Opozitë thuajse nuk ka.

Sfidat nuk kanë munguar gjatë dekadës së parë në UEFA. Ka pasur pika të ulëta, akuza e zhvillime që frenuan zhvillimin. Por nuk e ndalën. Dhe futbolli i Kosovës është ndoshta në momentin më të mirë kur po e shënon dhjetëvjetorin e pranimit në UEFA.