Derisa Vedat Muriqi po dëgjonte pyetjen e një gazetari, papritur u dëgjua një zhurmë e fuqishme në sallën ku po mbahej konferenca për media e Kosovës para ndeshjes kundër Zvicrës.
Zhurma e dëgjuar solli frikë te Muriqi, selektori Franco Foda dhe tek të pranishmit në konferencën e mbajtur të enjten pasdite në Basel, ku të premten nga ora 20:45 do të takohen Zvicra dhe Kosova.
Pasi kuptuan se asgjë nuk ishte serioze, Muriqi e Foda nisën të qeshnin.
Të qeshurat nga Muriqi dhe Foda zgjatën shkurt.
Sulmuesi kryesor i Kosovës nisi të përgjigjej në pyetjen e gazetarit.
Foli fillimisht për lojtarët që së fundi iu bashkuan Kosovës, Leon Avdullahun dhe Veldin Hoxhën.
“Kisha rastin të njoftohesha me lojtarët. Janë lojtarë me kualitet të lartë. Do t’ia shohim hairin edhe Leonit, edhe Veldinit. Besoj se do ta përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë”, ka thënë Muriqi.
Sulmuesi i Kosovës ka besim se do të dalin fitues nga fusha e stadiumit në Basel.
“Jemi përgatitur për nesër dhe kemi bërë analizat tona. E njohim Zvicrën, i njohim pikët e dobëta. Atmosfera është e jashtëzakonshme. Kemi një ekip me lojtarë të nivelit të lartë dhe bazuar në këtë them se nesër do të dalim fitues. Jemi të gatshëm dhe shpresoj t’i gëzojmë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium”, është shprehur Muriqi.
Ai ka thënë se Edon Zhegrova dhe Milot Rashica janë mungesa të rëndësishme te Kosova. Por ka shtuar se përfaqësuesja ka treguar rezultate pozitive edhe pa Zhegrovën, Rashicën e Muriqin.
Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve” me 31 gola.
Ai shpreson që barrën e sulmit në të ardhmen ta bartin Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani.
“Nuk e shoh si punë, por është nder për të përfaqësuar Kosovën. I dëshiroj suksese Fisinikut dhe Albionit dhe uroj të jenë tandemi i ardhshëm i Kosovës. Uroj ta kalojnë shifrën e golave që unë i kam realizuar”.
Pasi përfundoi me përgjigjet, Muriqi iu bashkua pjesës tjetër të ekipit, ndërsa në konferencë mbeti vetëm selektori Franco Foda.
Në drejtim të Fodas kishte shumë pyetje.
Tekniku gjerman ka vlerësuar Zvicrën. Ka thënë se Kosova do të mundohet të tregojë një paraqitje ndryshe nga ndeshjet e kaluara ndaj përfaqësueses helvetike. Tri ndeshjet e deritashme ndërmjet “helvetikëve” dhe “Dardanëve” kanë përfunduar baras.
“Kemi pasur paraqitje të mira, por po ashtu edhe Zvicra ka pasur paraqitje dhe rezultate të mira. Ka qenë pjesëmarrëse në Botëror e Evropiane. I di barazimet dhe kanë qenë ndeshje ku Kosova është mbrojtur. Duam të tregojmë lojë ndryshe dhe të bëjmë presion sa më lart. Por t’u tregojmë se kemi kurajë që të ruajmë topin. Dhe uroj të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Foda.
Ai ka folur për dy lojtarët që së fundi i janë bashkuar Kosovës. Ka thënë se janë lojtarë që kanë të ardhme të ndritshme.
“Kam dëgjuar që ka pasur atmosferë të mirë në ndeshjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Kemi parasysh që do ta kemi sërish përkrahjen. Shpresoj të kemi sa më shumë shikues në anën tonë. Dhe do të jetë një detyrë që t’i kënaqim me lojë këta shikues. Presim të ndahen të kënaqur. Do të luajmë me një stil më të hapur dhe të arrijmë t’i gëzojmë tifozët”, ka thënë Foda.
Ai pranon forcën e Zvicrës, por pret që Kosova t’i befasojë të gjithë në grup.
“Nuk jemi të frikësuar, por kemi respekt për Zvicrën. Jemi të vetëdijshëm për forcën që ka. Ka treguar paraqitje të mira në botërore dhe evropiane. Por shpresojmë të arrijmë diçka të madhe. Nëse arrijmë kualifikimin do të ishte diçka e madhe për ne. Është rrugë e gjatë, kemi kundërshtarë të fortë në grup. Futbolli ka dëshmuar që ka shumë tregime. Shpresoj ta bëjmë një të tillë”.
Tekniku gjerman që vlerësohet se e ka ngritur Kosovën në nivel më të lartë, pret respekt nga “helvetikët”.
“Nuk mendoj se Zvicra do të ketë frikë, sepse zviceranët e dinë se janë një ekip i fortë. Por do të kenë respekt për ne, ashtu siç do të kenë edhe kundërshtarët e tjerë që do të na kenë përballë”, ka thënë Foda.
Kosova menjëherë të hënën e pret Suedinë në “Fadil Vokrri”. Në grup është edhe Sllovenia.
VIDEO: