Futboll

De Biasi për incidentin në Beograd: Lojtarët mbrojtën veten me shumë guxim

Gianni de Biasi

Në mbrëmjen e 14 tetorit 2014, në Beograd, lojtarët e Shqipërisë u sulmuan fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri për kualifikimet e “Euro 2016”.

Gjithçka nisi kur një dron me motive shqiptare fluturoi mbi Stadiumin e Partizanit. Pas sulmit fizik, ku disa lojtarë të Shqipërisë u goditën me grushte, shkelma dhe gjësende të forta, ndeshja u ndërpre. Stafi dhe lojtarët e Shqipërisë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes.

Mënyra se si reaguan lojtarët e Shqipërisë apo shumica prej tyre i ka bërë të paharrueshëm në mesin e tifozëve shqiptarë.

UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi, thotë se lojtarët e Shqipërisë mbrojtën veten me shumë guxim.

“Sigurisht askush nuk do të dëshironte të përjetonte një situatë si ajo, të cilën ne e përjetuam. Për fat të mirë, përveç disa lojtarëve të mi të cilët u goditën, ata e mbrojtën veten me shumë guxim. Sidoqoftë, ka ndodhur afro 11 vjet më parë dhe nuk dua të flas më për këtë”, ka thënë De Biasi për KOHËN të enjten. Ai është njëri prej trajnerëve më të pëlqyer nga shqiptarët.

De Biasi ka kujtuar edhe ndeshjen kthyese më 8 tetor 2015 në Elbasan. Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve. Atmosfera, për shkak të masave, ishte shumë e zbehtë dhe kjo kishte ndikim në paraqitjen në fushën e blertë.

Shqipëria ishte kualifikuar në Evropian, ndërsa Serbia kishte mbetur e parafundit në grup.

Shpresa ka që sërish Shqipëria të kualifikohet në një ngjarje të madhe futbolli e Serbia të mbetet jashtë.

De Biasi shpreson që Shqipëria të kualifikohet në Botërorin, që vitin tjetër mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Anglia është favorite e grupit, kurse Shqipëria dhe Serbia pritet të jenë dy ekipet që do të luftojnë për vendin e dytë. Ndeshja në Tiranë të shtunën vlerësohet shumë e rëndësishme për rrugëtimin e të dyja ekipeve.

Shqipëria ka luajtur në dy Evropiane, ndërsa kërkon kualifikim historik në Botëror.

Shqipëria ka humbur 2:0 nga Anglia më 21 mars në “Wembley”, ndërsa mposhti Andorrën me rezultat 3:0 në Tiranë. Në grup me Shqipërinë, Anglinë, Serbinë, Andorrën është edhe Letonia. Edhe Letonia ka tri pikë nga dy ndeshje. Anglia është e para me gjashtë pikë, derisa Andorra është e fundit pa pikë. Për Serbinë, ndeshja e së shtunës në Tiranë është e para kualifikuese për Botërorin 2026.

De Biasi pritet të jetë të shtunën në tribunat e stadiumit “Arena Kombëtare” për ta parë nga afër ndeshjen me Serbinë.

Ai pret që ndeshja të nisë dhe të mbyllet pa incidente.

“Sigurisht se shpresoj që çdo gjë do të shkojë mirë dhe të mos ketë asnjë lloj trazire. Ajo që ka rëndësi është të shpresohet në fitore në fushë me ndihmën e tifozëve, të cilët do ta përkrahin ekipin për ta dhënë më të mirën aty. Do të ishte dëshmi e shkëlqyer e sportivitetit dhe inteligjencës të linim anash gjithçka që nuk ka të bëjë me futbollin. Shpresoj me gjithë zemër”, ka thënë De Biasi.

De Biasi është 68-vjeçar, ndërsa së fundi nga viti 2020 deri në vitin 2023 punoi si përzgjedhës i Azerbajxhanit.