Futboll

Daku: Ndaj Jordanisë ta festojmë fitoren me Serbinë

Mirlind Daku

Qendërsulmuesi Mirlind Daku ka bërë thirrje për mbështetje maksimale të Shqipërisë nga tifozët në ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë. Daku e ka cilësuar këtë ndeshje si mundësi për të festuar fitoren historike ndaj Serbisë. 

Shqipëria të martën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë nga ora 19:00 e pret Jordaninë. 

“Ju presim të martën në stadiumin ‘Air Albania”, ku do të luajmë ndaj Jordanisë. Meqë nuk patëm mundësi që të takoheshim me të gjithë ju pas ndeshjes me Serbinë, pas asaj fitoreje madhështore, ju presim tani në ndeshjen me Jordaninë dhe pastaj të festojmë atë fitore historike që e patëm. Faleminderit për përkrahjen dhe vazhdoni ta doni kombëtaren”, u shpreh Daku të hënën për faqen zyrtare të FSHF-së. 

Shqipëria të shtunën fitoi në stadiumin “Duboçica” në Leskovc ndaj Serbisë me golin e shënuar nga Rey Manaj, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. 

Ndeshja i takoi Grupit K kualifikues të Botërorit që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.