Shqipëria e ka fituar 1:0 miqësoren me Gjibraltarin.
Ndeshja në Gjibraltar u zhvillua të enjten mbrëma, ndërsa Shqipëria fitoi pa shumë shkëlqim. Jasir Asani e shënoi golin e fitores në minutën e 69-të. Ai realizoi nga penalltia, që u dha për lojë me dorë në zonë nga kapiteni i Gjibraltarit.
Shqipëria ishte favorite e madhe ndaj Gjibraltarit.
Në ranglistën e FIFA-s, Shqipëria është e 68-ta, ndërsa Gjibraltari është në vendin e 199-të.
Po ashtu Gjibraltari ishte në seri prej katër humbjeve rresht.
Në pjesën e parë të përzgjedhurit e Sylvinhos shfaqën fare pak. Medon Berisha bëri dy goditje nga distanca, njëra prej të cilave përfundoi në traversë pas devijimit.
Braziliani Sylvinho bëri zëvendësime të shumta në pjesën e dytë dhe loja e Shqipërisë ishte më aktive. Cristian Shpendi, që ishte njëri prej debutuesve, ishte goxha aktiv në sulm.
Ai rrezikoi disa herë, por pa konkretizuar. Një rast e lëshoi edhe Arbër Hoxha.
Shpresohet që ndeshja në Gjibraltar do t’u shërbejë kuqezinjve për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë, që zhvillohet të martën nga ora 20:45 në Tiranë.
Sylvinho ndaj Gjibraltarit ka luajtur me formacion të kombinuar, ndërsa me zëvendësimet e shumta ua ka dhënë rastin thuajse të gjithë lojtarëve. Disa prej tyre shfrytëzuan hapësirën, ndërsa për disa të tjerë u dëshmua se duhet ende kohë që të jenë të rëndësishëm te Shqipëria.
Shqipëria në epërsi, Asani shënon nga pika e bardhë
Shqipëria ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Gjibraltarit. Golin e shënoi Jasir Asani në minutën e 69-të nga penalltia.
Penalltia u shkaktua për lojë me dorë në zonë.
Paraqitje e zbehtë e Shqipërisë në Gjibraltar, 0:0 pas pjesës së parë
Shqipëria po luan miqësore ndaj Gjibraltarit. Pas 45 minutave lojë në Gjibraltar rezultati është 0:0.
Paraqitja e të përzgjedhurve të Sylvinhos ishte shumë e zbehtë, ndonëse përballë kanë përfaqësuese inferiore.
Dy goditje nga distanca të Medon Berishës ishte rreziku i vetëm i Shqipërisë për portën e Gjibraltarit.
Goditja e dytë, në minutën e 43-të, përfundoi në shtyllë pas devijimit nga një mbrojtës vendas.
Daku e Broja në sulmin e Shqipërisë
Mirlind Daku dhe Armando Broja do të paraqiten së bashku nga minuta e parë te Shqipëria që luan kundër Gjibraltarit.
Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Gjibraltarit luhet sonte nga ora 18:00 në Gjibraltar.
Në formacionin bazë është edhe Jasir Asani e Nedim Bajrami.
