Klubi elitar i Bullgarisë, CSKA Sofja, i ka ofruar kontratë të re mbrojtësit të Kosovës, Lumbardh Dellova.
Trajneri i CSKA-së, Dushan Kerkez, ka thënë se janë në pritje të përgjigjes pozitive nga Dellova.
“Klubi po negocion me Dellovën dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe ai do të nënshkruajë kontratë të re”, tha Kerkez për “football24.bg”.
26-vjeçari, Dellova, iu bashkua vitin e kaluar ekipit bullgar nga Ballkani i Suharekës, ndërsa ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Në 36 ndeshje në të gjitha garat për CSKA-në i ka shënuar dy gola. Ka kontribuar edhe me dy asistime. Dy gola i ka shënuar edhe për Kosovën në 15 ndeshje.
Kerkez nuk e ka komentuar interesimin e klubit për Lirim Qamilin.
Qamili, 27-vjeçar, luan si sulmues krahu. Ai është pjesë e skuadrës elitare të Danimarkës, Sonderjyske.