Sot prej orës 20:00 luhet ndeshja mes Dritës dhe Copenhagenit, që është e dyta e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kampioni danez ka arritur të hënën mbrëma në Prishtinë, ndërsa nuk ka zhvilluar stërvitje në “Fadil Vokrri”, ku luhet ndeshja.
Copenhageni ka njoftuar se do të luajë me fanellat e treta, me ngjyrë të gjelbër. Por pa emrin e sponsorit të zakonshëm në to.

“Por pa ‘Unibet’ në gjoks, pasi bastvënia është e ndaluar në Kosovë. Kjo është hera e gjashtë që luajmë me këto fanella. Në debutim, ndaj Dinamo Minskut në Azerbajxhan, po ashtu kemi luajtur pa ‘Unibet’ në gjoks”, ka njoftuar gjiganti danez.
Rreth 75 tifozë pritet ta përkrahin Copenhagenin në ndeshjen që transmetohet në KTV.
Kjo skuadër është vizituar nga ushtarë danezë që janë pjesë e KFOR-it. Aktualisht janë 35 ushtarë danezë në Kosovë, ndërsa një kohë ishin plot 850.
