Skuadrës së Chelseat do t’i mungojë një futbollist shumë i rëndësishëm për duelin ndaj Barcelonës.
Chelsea të martën nga ora 21:00 e pret Barçën në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së ligës në “Champions”. Trajneri i klubit londinez, Enzo Maresca, ka konfirmuar se Cole Palmer nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj gjigantit katalunjas.
“Nuk e dimë se kur ai do të kthehet në formë të plotë. Ai tashmë është kthyer në stërvitje. Ndjesia është e mirë. Për momentin po shikojmë vetëm ndeshjen e nesërme. Është një ndeshje e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, ky është fokusi ynë dhe pastaj do të shikojmë për ndeshjen ndaj Arsenalit. Nuk mendoj se ai do të jetë në dispozicion për këto dy ndeshje”, u shpreh Maresca.
23-vjeçari Palmer i ka munguar Chelseat në 12 ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi në gishtin e këmbës.