Futboll

Çfarë u tha në VAR për kartonin e kuq të Muriqit?

Ndërhyrja e Vedat Muriqit ndaj portierit të Barcelonës

Fitorja e Barcelonës 3:0 në udhëtim te Mallorca të shtunën mbrëma u përcoll me shumë episode të paqarta. Një gol i pranuar ndonëse një futbollist i Mallorcas u godit fort në kokë, si dhe u dhanë dy kartonë të kuq. 

Manu Morlanes u përjashtua nga loja pasi mori dy kartonë të verdhë në minutën e 33-të, ndërsa u pasua me kartonin e kuq të sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, gjashtë minuta më vonë. 
Muriqi e ngriti këmbën lartë dhe e goditi në kokë portierin e Barcelonës, Joan Garcia. 

Muriqit fillimisht iu dha kartoni i verdhë, por pas rishikimit të situatës në VAR, ai u përjashtua direkt me të kuq. 

Të dielën është publikuar e gjithë biseda e gjyqtarëve për atë rast. 

“Jose Luis, të rekomandoj të vish dhe ta shohësh aksionin për një karton të kuq të mundshëm për ndërhyrje të rrezikshme”, iu tha gjyqtarit kryesor të ndeshjes. “Ta shohim”, u përgjigj ai. 

Atij iu treguan pamjet nga gjyqtari i VAR-it, Jorge Figueroa Vazquez. 

“Pika e kontaktit. Do të shfaq tani pamjet dhe mund ta vlerësosh”. 

Jose Luis Munuera Montero u përgjigj duke kërkuar më shumë pamje. 

“Pak më prapa. Më jep më shumë pamje, Jorge, të lutem. Ktheje prapa, pak më prapa. Në rregull, lojtari nuk e prek topin aspak. Më jepni edhe kamerën e pozitës jashtë loje. Në rregull. Kamerën prapa golit. Dua të shoh intensitetin për ta vlerësuar intensitetin e goditjes, ma shfaqni, ju lutem. Prapa portës. Në rregull, ndaleni në momentin e kontaktit. Momentin e kontaktit, po aty. E përkryer”. 

Gjyqtari Jose Luis Munuera më pas e merr vendimin dhe ia shfaq Muriqit direkt kartonin e kuq. 

Për goditjen e Muriqit ka folur edhe portieri Joan Garcia, që debutoi në portë te Barcelona në ndeshje zyrtare. Ai e mbajti portën e paprekur. 

“Ai më goditi në fytyrë. Nuk e kam parë të përsëritur, por më ka goditur në fytyrë. Nëse VAR-i ka thënë se është i kuq, mendoj se pati të drejtë”, ka thënë 24-vjeçari pas ndeshjes, duke shtuar se do ta mbajë me akull pjesën e dëmtuar. 

Një tjetër moment për të cilin u debatua shumë ishte kur Ferran Torresi e shënoi golin e dytë të Barcelonës, teksa kapiteni i Mallorcas, Antonio Raillo, mbeti i shtrirë në tokë pas gjuajtjes së fuqishme të Lamine Yamalit. 

Garcia i ka mbrojtur bashkëlojtarët e tij, që vendosën ta vazhdojnë lojën. 

“Është gjyqtari ai i cili vërshëllen, dhe deri në momentin e vërshëllimit, ne duhet të luajmë”. 

Garcia ka folur edhe për paraqitjen e përgjithshme të Barcelonës dhe debutimin e tij në ndeshje zyrtare. 

“Jemi shumë të lumtur që e fituam ndeshjen e parë të ligës, është e veçantë, sidomos pasi fituam duke mos pranuar gol. E kemi ditur se si duhej të luanim. Do të donim të shënonim gol edhe më herët për të qenë më të qetë, por jemi të lumtur që kthehemi me fitore”, shtoi Garcia.