Futboll

Çfarë ndodhi me Dumfriesin dhe Acunan?

Denzel Dumfries

Denzel Dumfries i Interit dhe Marcos Acuna i River Plates për pak sa nuk e nisën një përleshje pas përfundimit të ndeshjes që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Interi e fitoi 2:0 ballafaqimin e Grupit E dhe e siguroi avancimin tutje. River Plate ra nga Botërori pasi ka marrë vetëm katër pikë në tri ndeshje dhe zuri vendin e tretë.

Monterrey avancoi nga vendi i dytë me pesë pikë, ndërsa Urawa Reds përfundoi në vendin e fundit, pa pikë. Kristjan Asllani e kompletoi ndeshjen tek Interi.

Skuadra argjentinase e përfundoi ndeshjen me dy futbollistë më pak në fushë. Me të kuq u përjashtua Lucas Martinez Quarta në minutën e 65-të, ndërsa Gonzalo Montiel u përjashtua nga loja në minutën e 95-të.

Nga videot e publikuara u pa se Dumfries dhe Acuna vraponin drejt dhomave të zhveshjes, me pretendimin për të nisur përleshje.

Kishte raportime se Dumfries është fyer në baza racore nga kundërshtari i tij, por mediumi italian “La Gazzetta dello Sport”, ka thënë se kjo nuk ka qenë arsyeja.

Sipas gazetës italiane, Dumfries dhe Acuna kishin pasur telashe mes vete edhe pas përfundimit të ndeshjes Argjentina – Holanda, në Kupën e Botës 2022.

Mbrojtësi i Interit ishte përjashtuar nga loja gjatë ekzekutimit të penalltive, pasi kishte tentuar që ta shpërqendronte Acunan. Duelet e forta mes Dumfriesit dhe Acunas nuk kanë munguar as gjatë ndeshjes. Por, ka qenë Interi që ka kaluar tutje në fund.

Interi në 1/8 e finales do të ballafaqohet me Fluminensen.

Në ndeshjen tjetër të të njëjtit grup, Monterrey e Meksikës fitoi ndaj Uraëa Redsit të Japonisë, 4:0.

Nelson Deossa, German Berterame dhe Jesus Corona shënuan për 3:0 në pjesën e parë, ndërsa Berterame e shënoi një tjetër gol në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar.

Monterrey më 2 korrik luan ndaj Dortmundit në ndeshjen e parë të fazës nokaut.

VIDEO: