Selektori i Italisë, Gennaro Gattuso, ka ftuar 27 futbollistë për duelet ndaj Estonisë dhe Izraelit.
Dy prej tyre, Hans Nicolussi Caviglia i Fiorentinas dhe Nicolo Cambiaghi i Bolognas, janë ftuar për herë të parë.
Ndeshjet i takojnë kualifikimeve të Botërorit 2026. “Azzurrët” ndaj Estonisë luajnë më 11 tetor në Tallin, ndërsa ndaj Izraelit në Udine luajnë më 14 tetor.
Te Italia pas një viti janë kthyer mbrojtësi i Milanit, Matteo Gabbia dhe mesfushori i Romës, Bryan Cristante.
Gattuso debutoi tek Italia në muajin shtator, duke fituar 5:0 ndaj Estonisë, ndërsa më pas siguroi fitore 5:4 ndaj Izraelit në udhëtim.
Italia është në vendin e dytë të Grupit I me nëntë pikë sa ka edhe Izraeli në vendin e tretë. Por, italianët kanë një ndeshje më pak të luajtur. Grupit i prin Norvegjia me 15 pikë. Estonia e katërta ka tri pikë, ndërsa Moldavia e fundit është pa pikë.