Ish-trajneri i Milanit, Fabio Capello, ka thurur lavde për mesfushorin shqiptar të Zvicrës, Ardon Jashari. Ai ka thënë se Jashari me paraqitjet e tij ka treguar se ka potencial të madh për të qenë pjesë e Milanit.
Ai të martën ka mbërritur në Milano për të kompletuar transferimin për rreth 40 milionë euro nga Club Brugge te Milani.
“Djali më duket i fortë, një lojtar potencial i nivelit të lartë në të ardhmen në pozicionin e tij. Shkurt, një nënshkrim në stilin e Milanit, siç e shoh unë. Jashari duket sikur është krijuar nga një material tjetër. Sigurisht, nuk po flas për talent, por për karakter. Kjo është ajo që më është thënë, dhe madje duke e parë në fushë, ai jep përshtypjen e dikujt që nuk ka frikë nga asgjë. De Ketelaere nuk ishte larguar kurrë më parë nga Brugge, vendlindja e tij. Jashari është zviceran me rrënjë shqiptare. Situata të ndryshme. Situata të ndryshme”, ka thënë Capello në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Ai insiston se Jashari do të ketë sukses te Milani.
“Para së gjithash, ai është larguar një herë nga shtëpia, kur u largua nga Zvicra për në Belgjikë vitin e kaluar. Kjo do të thotë se ai duhej të vërtetonte vlerën e tij në një vend ku askush nuk e njihte dhe madje fitoi çmimin për lojtarin më të mirë në ligë, duke u paraqitur mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Ai mund të jetë zviceran, por mund të dallosh se gjaku ballkanik rrjedh në venat e tij”, është shprehur Capello.
Ish-trajneri i Real Madridit, Romës, Juventusit, Anglisë e Rusisë ka vlerësuar edhe punën e drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare.
Jashari është deri më tani nënshkrimi më i shtrenjtë i karrierës së gjatë të Tares si drejtor. Për Capellon, ky është një bonus, jo një disavantazh.
“Dhe kjo më bën të besoj se është nënshkrimi i duhur. Igli është një drejtor sportiv me përvojë, ai e di se çfarë duhet për të pasur sukses në një vend si Milani. Nëse Tare zgjodhi Jasharin, kjo është sepse ai pa jo vetëm një lojtar të shkëlqyer, por edhe një njeri të besueshëm në çdo aspekt. Ai nuk është nga ata që ia ka lënë gjithçka rastësisë. Dhe të mos harrojmë Massimiliano Allegrin, i cili me siguri do ta kishte miratuar nënshkrimin”, ka thënë Capello.
Capello karrierë të madhe ka bërë edhe si lojtar te Milani, Juventusi dhe Roma.