Omer Bunjaku është emëruar drejtor sportiv te skuadra e Tiranës. Ai me klubin tiranas ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
34-vjeçari së fundi ishte drejtor sportiv te nënkampioni i Kosovës, Ballkani nga viti 2023 deri në qershor të këtij viti.
“Klubi i Futbollit Tirana prezanton drejtorin e ri sportiv, Omer Bunjaku. Me një përvojë të gjatë në menaxhimin e klubeve jashtë vendit, Bunjaku ka qenë pjesë e disa projekteve të rëndësishme në futboll. Ai ka mbajtur role drejtuese dhe është angazhuar në ndërtimin e strukturave sportive që kanë sjellë sukses të qëndrueshëm si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. E presim me besim dhe i urojmë mirëseardhje në shtëpinë bardheblu”, ka shkruar Tirana të hënën.
Bunjaku ka premtuar se do ta jap më të mirën për klubin e Tiranës.
“Me përgjegjësi të plotë kam pranuar detyrën për të udhëhequr pjesën sportive të klubit më të madh shqiptar, KF Tirana. Faleminderit drejtuesve të klubit për besimin e dhënë. Angazhimi im do të jetë maksimal, me synimin që në fund të sezonit të dalim faqebardhë, duke i sjellë gëzim dhe krenari tifozëve bardheblu”, u shpreh Bunjaku.
Ai ka qenë drejtor sportiv edhe i skuadrës së Shkupit për gjashtë vjet.