Futboll

Bulku për mediat kroate: Edhe pse jam shqiptar, jam me Hajdukun ndaj Dinamos

Ervin Bulku

Ervin Bulku e mbajti veshur fanellën e Hajdukut të Splitit para afro 15 vjetësh dhe ka qenë trajner asistent te Shqipëria për shumë vjet. Dhe për mediat kroate ka thënë të shtunën se zemra e tij është me Hajdukun. 

Pikërisht skuadra e njohur kroate do të jetë përballë Dinamo Cityt të Tiranës, të drejtuar nga trajneri Ilir Daja, në ndeshjet e rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

“Ervin Bulku: Edhe pse jam shqiptar, do të jem për Hajdukun ndaj Dinamo Cityt në Evropë”, është titulli i shkrimit të mediumit “24sata.hr” të shtunën. 

Dinamo e eliminoi Atletic Escaldesin e Andorrës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Fitoi në udhëtim 2:1, ndërsa në “Elbasan Arena” barazoi 1:1 dhe avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm, 3:2. 

Ndërkohë, Hajduku i Splitit e eliminoi Ziran e Azerbajxhanit. Barazoi në udhëtim 1:1 dhe fitoi 2:1 në shtëpi ndaj Ziras. 

Ndeshja e parë kualifikuese e rrethit të tretë luhet në stadiumin “Poljud” të Splitit më 7 gusht, kurse ajo kthyese luhet më 14 gusht në “Elbasan Arena”. 

Skuadra tiranase, Dinamo City, e fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin e kaluar, kurse Hajduku e mbylli sezonin në vendin e tretë. 

Pjesë e Hajdukut janë Ron Raçi dhe Adrion Pajziti.

Ish-mbrojtësi Bulku, tani 44-vjeçar, te Hajduku ishte në edicionin 2010-11. I luajti 15 ndeshje.