Futboll

Botërori i klubeve, mundësi që veteranët të dalin sërish në skenë

Leo Messi

Në Kupën e Botës për Klube që nis të shtunën pas mesnate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të luajnë vetëm futbollistët e talentuar, si Desire Doue me të tjerët. Por, do të paraqiten edhe yjet e futbollit që janë në moshë.

Lionel Messi vitin e kaluar u bashkua tek Inter Miami me ish-bashkëlojtarët e tjerë te Barcelona. Sergio Busquets, Jordi Alba dhe Luis Suarez iu përgjigjën thirrjeve të argjentinasit nga SHBA-ja.

Katër yjet e futbollit nuk arritën asnjëherë që në MLS, ta kthejnë lavdinë e dikurshme te Barcelona. Ndoshta kjo do të ndryshojë në Kupën e Botës për Klube, ku do të përballen jo vetëm me top-klubet evropiane që u kanë shkaktuar kokëçarje për shumë vjet, por edhe disa “të vjetër” që, bashkë me ta, i kanë dhënë formë futbollit në dy dekadat e fundit.

Kjo mund t’i jap Messit dhe ekipit të tij disa mundësi për ta rikrijuar “El Clasicon” e viteve më parë. Ata jo vetëm që mund të përballen me Real Madridin, ku Luka Modriq, një tjetër lojtar që dha kontributin e tij në futboll e që me Madridin do t’i luajë ndeshjet e fundit, por mund të luajnë edhe kundër Moterreyt nga Meksika e me Benfican portugeze, për shembull.

Sergio Ramos do të jetë në fushë për skuadrën meksikane, ndërsa Angel Di Maria për atë portugeze, ndonëse së fundmi ka nënshkruar kontratë me skuadrën e tij të fëmijërisë, Rosario Central. Ai do të jetë në skuadër bashkë me Nicolas Otamendin te Benfica, që e fitoi dy herë Premier Leaguen me Manchester Cityn, dhe e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën bashkë me Di Marian dhe Messin.

Manuel Neuer i Bayern Munichut, Thiago Silva, ish-lojtari i Milanit, Chelseat dhe PSG-së tani te Fluminense, Edinson Cavani, ish-lojtari i Napolit dhe PSG-së tani te Boca Juniorsi, ish-portieri i Tottenhamit tani i Los Angeles FC, Hugo Lloris, dhe Olivier Giroud, ish-sulmuesi i Arsenalit, Chelseat që tani paraqitet te Los Angeles FC, janë prej emrave tjerë që tashmë janë mbi 35-vjeçar.

Në javët e ardhshme, yjet veteranë edhe një herë tjetër do ta kenë rastin të garojnë e ta shfaqin më të mirën para gjeneratës së re. Ndoshta, disa prej të rinjve do ta kuptojnë se “të vjetrit”, ende janë në formën më të mirë të mundshme.