Futboll

Bolivia siguron plejofin me fitore ndaj Brazilit, Argjentina befasohet nga Ekuadori

Bolivia

Bolivia ka befasuar Brazilin duke e mposhtur 1:0 dhe kështu ka siguruar vend në plejofin ndërkontinental të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në futboll. Ndërkohë Argjentina pësoi 1:0 nga Ekuadori në raundin e fundit të kualifikimeve të Amerikës së Jugut.

Lojtarët kanë shpërthyer në lot

Miguel Terceros i Bolivisë e shndërroi në gol një penallti në minutat shtesë të pjesës së parë, për fitoren e madhe në shtëpi ndaj pesë herë kampionit të botës, Brazilit. Ky rezultat bëri që Brazili i udhëhequr nga Carlo Ancelotti të bie në vendin e pestë. 

Në plejofin ndërkontinental, Bolivisë do t’i bashkohen edhe dy përfaqësuese nga Amerika e Veriut, e Mesme dhe Karaibet, si dhe nga një përfaqësuese nga konfederatat e Afrikës, Azisë dhe Oqeanisë. Në plejof do të garohet për dy vende që dërgojnë në Botëror. Plejofi mbahet në mars të vitit të ardhshëm në Meksikë.

Ekuadori dhe kampionia në fuqi, Argjentina, e kishin siguruar më herët kualifikimin në Botëror. Por nuk ka munguar futbolli i mirë në përballjen e tyre. Nicolas Otamendi i Argjentinës u përjashtua në minutën e 31-të dhe vendasit kapitalizuan avantazhin numerik me golin e Enner Valencias në pjesën e parë. Valencia shënoi nga penalltia.

Edhe Ekuadori mbeti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Moises Caicedos në minutën e 50-të. Por e mbajti epërsinë deri në fund për vendin e dytë në tabelë.
Argjentina mbeti e para me 39 pikë, nëntë më shumë se Ekuadori.

Në Botëror janë kualifikuar edhe Kolumbia, Uruguaji, Brazili dhe Paraguai.


Golat - aksionet dhe momenti kur ndeshja përfundon dhe bolivianët shpërthejnë në lot- VIDEO