Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Suedisë në futboll, Jon Dahl Tomasson, ka publikuar të mërkurën listën e lojtarëve për ndeshjet e qershorit. Në listën e 24 lojtarëve të ftuar për ndeshjet miqësore, është edhe mesfushori i Elfsborgut, Besfort Zeneli.
Zeneli ka qenë një nga mesfushorët më të mirë të “Allsvenskan”, dhe ai është shpërblyer me një vend në skuadrën e Suedisë për ndeshjet kundër Hungarisë dhe Algjerisë.
Ndeshjen kundër Hungarisë, Suedia e luan më 6 qershor në Budapest, kurse në Solna pas katër ditësh e pret Algjerinë.
Zeneli 22-vjeçar ka debutuar në mars për Suedinë. Ai luajti 45 minuta ndaj Luksemburgut dhe nëntë minuta kundër Irlandës së Veriut. Të dyja ndeshjet ishin miqësore për përfaqësuesen suedeze të futbollit.
Para se t’i bashkohej Suedisë, Zeneli luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21.
Ai këtë edicion ka luajtur 29 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime.