Bernard Berisha është larguar nga Akhmat Grozny pas tetë vjet e gjysmë. Klubi çeçen që garon në elitën e futbollit të Rusisë, ka njoftuar të enjten se ka shkëputur kontratën me Berishën me marrëveshje të dyanshme.
Beriha u bë legjendë e Akhmatit. Për skuadrën elitare të kampionatit rus, Berisha luajti 199 ndeshje, ndërsa shënoi 28 gola dhe kontribuoi me 23 asistime. “Bernardi la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit tonë. Ka qenë një profesionist i vërtetë në fushë, një lider, i sjellshëm dhe simpatik në jetë. Kështu do të mbahet mend mesfushori nga tifozët, për të cilët Bernardi është bërë i preferuar dhe idhull gjatë viteve. Faleminderit për lojën, faleminderit për vëllazërinë dhe miqësinë me secilin anëtar të ekipit tonë. Paç fat vëlla!”, shkruan në njoftimin e klubit çeçen.
Berisha në janar të vitit 2016 iu bashkua Anzhi Makhachkalas. Në dhjetor të vitit 2016 ai kaloi te Terek Grozny, klub që tani njihet si Akhmat Grozny dhe është nga Çeçenia.
Berisha ka luajtur në të kaluarën për Kosovën dhe ishte lojtar i rëndësishëm. Për shumë vjet ishte i rëndësishëm edhe te Akhmat Grozny, ku së fundi kishte hapësirë më të limituar.
Berisha 33-vjeçar në Kosovë ka luajtur për Besën e Pejës. Luajti edhe për Besën e Kavajës dhe Skënderbeun e Korçës.
Me korçarët ka fituar dy tituj dhe një Superkupë.