Pasi përfundoi një tjetër ndeshje mbresëlënëse me fanellën e Lecces, Medon Berisha, bëri gati valixhet dhe u nis drejt Barcelonës. Të hënën ai dhe lojtarët tjerë të Shqipërisë nisin grumbullimin për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Shqipëria të enjten e luan ndeshjen e parafundit kualifikuese për Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Luan në udhëtim me Andorrën, kurse më 16 nëntor e pret Anglinë në Tiranë.
Shqipëria synon ta ruajë vendin e dytë që siguron plejofin për Kupën e Botës.
Berisha 22-vjeçar, beson se Shqipëria mund ta ruajë vendin e dytë.
“Ndeshja kundër Andorrës do të jetë e vështirë. Por nga dita e parë e grumbullimit ne do të fokusohemi dhe do të punojmë fort për të fituar ndaj Andorrës. Gjithmonë jam i gatshëm ta jap kontributin tim për Shqipërinë. Vendimet i merr trajneri dhe unë i respektoj vendimet e tij, por jam në formë të mirë dhe i gatshëm gjithmonë për ta dhënë më të mirën. Pas ndeshjes kundër Andorrës kemi ndeshje tjetër të vështirë kundër Anglisë. Do të jetë ndeshje e fundit dhe uroj të jetë festive për ne”, ka thënë Berisha për KOHËN, të dielën.
Berisha është prej lojtarëve më në formë që ka në dispozicion përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho.
Ai të shtunën fitoi për herë të dytë rresht çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes. Ishte më i dalluari në ndeshjen që Lecce e mbylli pa gola ndaj Veronas. Më i miri u shpall edhe para një jave kundër Fiorentinës.
Ndaj Fiorentinës, dhjetëshi i Lecces shënoi golin e fitores.
Berisha pritet shpejt të bëjë tjetër hap para në karrierë, por edhe të sigurojë vend në ekipin bazë të Shqipërisë.
Medon Berisha ishte kapiten i ekipit U21 të Shqipërisë. Më parë ai luajti për ekipin U21 të Kosovës dhe gjithashtu për ekipin U20 dhe U19 të Shqipërisë.
Me fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë ka luajtur katër ndeshje.
“Për çdo futbollist është ëndërr të paraqitet për kombin e vet. Edhe për mua ka qenë ëndërr të paraqitem për Shqipërinë. E kam realizuar këtë ëndërr dhe secila paraqitje e imja me fanellën e Shqipërisë ka pasur rëndësinë e vet. Jam krenar që luaj për Shqipërinë”, është shprehur Berisha.
Njërën prej katër paraqitjeve për Shqipërinë, Berisha e ka në Evropianin e vitit të kaluar në Gjermani. Ai luajti 20 minuta ndaj Spanjës.
Paraqitja në Evropian ishte ëndërr e realizuar për Berishën. Ai synon ta realizojë një tjetër synim me Shqipërinë.
“Paraqitja në Evropian ka qenë ëndërr e realizuar për mua. Të gjithë duam paraqitjen edhe në Botëror. Do të ishte tjetër ëndërr e madhe e realizuar për mua. Uroj të bëhet realitet kjo ëndërr për mua dhe për gjithë shqiptarët. Falënderojmë çdo shqiptar që na ka përkrahur dhe vazhdon të na përkrahë maksimalisht”, ka thënë mesfushori.
Berisha në Serie A ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim në nëntë ndeshje këtë edicion.
Me Leccen ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Por shpejt pritet të bëjë hapin tjetër të madh. Nëse jo në janar, në verën e vitit të ardhshëm gjasat janë të mëdha që Berisha t’i bashkohet ndonjë klubi më të madh në njërën prej ligave më të forta në Evropë.
Shqipëria e siguron plejofin nëse të enjten fiton ndaj Andorrës e në të njëjtën kohë Anglia e mposht Serbinë. Nëse ky skenar shumë i mundshëm nuk realizohet, atëherë vendimtare do të jenë ndeshjet e fundit. Anglia tashmë e ka siguruar paraqitjen në Botëror.