Futboll

Behrami nis karrierën si drejtues sportiv, merr pozitë të rëndësishme te Watfordi

behrami

Ish-mesfushori i njohur, Valon Behrami, ka nisur karrierën si drejtues sportiv. 40-vjeçari të mërkurën mori pozitë të rëndësishme te klubi anglez, Watford. 

Behrami do të jetë asistent i drejtorit sportiv. Drejtor sportiv i Watfordit është Gian Luca Nani, ndërsa Behrami do ta ndihmojë atë.

Behrami ka luajtur për Watfordin në edicionet 2015/16 dhe 2016/17, kur kjo skuadër garonte në Premier League. Aktualisht është në kategorinë e dytë angleze.

“Jam i lumtur që do të punoj sërish me Valonin”, ka thënë Nani. “Ai do të ofrojë asistencë të vlefshme për stafin teknik dhe po ashtu për lojtarët. E di që mban lidhje të forta nga koha e kaluar si lojtar këtu. Ai tashmë ka pasur ndikim pozitiv”, ka shtuar Nani.

Behrami ka bërë karrierë të madhe si futbollist. Shquhej për angazhimin e madh në mesin e fushës dhe për vrapimet e vazhdueshme. Ka luajtur për skuadra si Lugano, Genoa, Verona, Lazio, West Ham United, Fiorentina, Napoli, Hamburg, Watford, Udinese, Sion, Genoa e Brescia. Për Zvicrën i luajti 83 ndeshje dhe i realizoi dy gola. Ishte reprezentues i Zvicrës nga viti 2005 deri në vitin 2018.

I ka luajtur 259 ndeshje në Serie A, 106 në Premier Leauge, 22 në Bundesliga dhe dhjetë në Ligën e Kampionëve. Me Napolin e fitoi Kupën e Italisë në vitin 2014, ndërsa është lojtari i vetëm i Zvicrës që është paraqitur në katër botërorë rresht.

“Kur isha lojtar i Watfordit jam ndier për herë të parë si pjesë e familjes dhe më ka munguar kjo. Jam i lumtur që kthehem. Scott Duxbury më angazhoi kur ishte te West Hami dhe sërish si lojtar te Watfordi. Kështu që nuk kam hezituar kur më kërkoi për herë të tretë që të jem pjesë e një projekti interesant. Dua të ndihmoj në krijimin e lidhjes mes stafit teknik dhe klubit, lojtarëve dhe klubit. Dhe, më e rëndësishmja, të krijoj lidhjen me tifozët si mënyra e vetme për të arritur synimin tonë. Për të bërë këtë na duhen punë e madhe, disiplinë dhe na duhet përkrahja nga të gjithë”, ka thënë Behrami.

Ai ka thënë se do të ndihmojë trajnerin Paulo Pezzolano dhe lojtarët. Behrami, i lindur në Mitrovicë, ka thënë se e di si është të jesh lojtar, çka u duhet lojtarëve, dhe si të reagohet, sidomos kur gjërat nuk shkojnë mirë. 

“Paulo ishte i shkëlqyer që nga dita e parë dhe mund të thuhet lirisht që ai ka dëshirë, disiplinë dhe standarde të larta. Kjo është mënyra e vetme për të punuar”, ka shtuar Behrami.

Pasi i dha fund karrierës si lojtar në vitin 2022, Behrami ka punuar kryesisht si analist për televizione të ndryshme. 

Është ish-futbollisti i radhës shqiptar që synon karrierë si drejtues. Deri më tani dukshëm më i suksesshmi është Igli Tare, tani drejtor sportiv i Milanit.

Watfordi së fundi garoi në Premier League në edicionin 2021/2022.