Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme në Drenas ndaj Feronikelit 74, ndonëse ishte duke humbur 2:0 në pjesën e parë.
Gjilani u kthye në pjesën e dytë dhe fitoi me rezultatin 3:2, falë “hat-trickut” të sulmuesit Almir Aganspahiq.
Ndeshja i takoi xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës.
Hasan Hyseni i shënoi të dy golat për Feronikelin në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Ai realizoi në minutën e 23-të fillimisht, dhe për 2:0 ishte i saktë nga penalltia në minutën e 35-të.
Për Gjilanin të tre golat i realizoi sulmuesi Almir Aganspahiq.
Aganspahiq realizoi në minutën e 53-të për 2:1, ndërsa për 2:2 realizoi në minutën e 82-të.
Sulmuesi tjetër i Gjilanit, Senad Jaroviq, e humbi penalltinë në minutën e 90-të, por goli i fitores erdhi në minutën e 96. Aganspahiq shënoi nga afërsia, ndërsa goli u pranua nga gjyqtari kryesor pas rishikimit të situatës në VAR. Kishte dyshime për pozitë jashtë loje.
Gjilani pas 32 ndeshjeve ka 45 pikë, aq sa ka edhe Ferizaj me një ndeshje më pak të luajtur.
Feronikeli 74 që në edicionin tjetër do të luajë në kategorinë e dytë të futbollit kosovar, mbetet me 15 pikë.
Barazohet rezultati në Drenas
Gjilani ka barazuar rezultatin në udhëtim te Feronikeli 74.
Almir Aganspahiq i shënoi të dy golat.
Boshnjaku realizoi për 2:1 në minutën e 53-të, ndërsa të dytin e shënoi në minutën e 82-të.
Rezultati në ndeshjen Feronikeli 74 – Gjilani është 2:2.
Ndeshja po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Befasi e madhe në “Rexhep Rexhepi”
Feronikeli 74 e ka befasuar skuadrën e Gjilanit në pjesën e parë, në kuadër të xhiros së 32-të.
Skuadra nga Drenasi është duke udhëhequr me rezultatin 2:0.
Feronikeli 74 ka humbur gjasat për të mbetur në elitë, ndërsa Gjilani është në pozitë të vështirë dhe po lufton për t’i ikur zonës së rrezikshme.
Hasan Hyseni i shënoi të dy golat për vendësit në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.
Ai realizoi në minutën e 23-të për 1:0, ndërsa në minutën e 35-të realizoi nga penalltia për 2:0.
Hyseni tani ka pesë gola.