Dean Huijsen ishte prej futbollistëve më të kërkuar në afatin kalimtar të verës.
Shumë skuadra të mëdha e dëshironin transferimin e 20-vjeçarit. Ai vendosi që t’i bashkohet gjigantit spanjoll, Real Madrid.
“Bild” ka shkruar të martën se edhe Bayern Muncheni insistoi për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit të Spanjës.
Menaxheri i Huijsenit, Ali Barat, e konfirmoi këtë shkrim të gazetës së madhe gjermane.
Ai ka përmendur edhe skuadrat tjera që ishin të interesuara. Tregoi edhe se si erdhi deri te vendimi për t’u transferuar te Reali.
“Ne kishim rreth shtatë klube të mëdha, Bayern, Liverpool, Tottenham, Newcastle. Të gjitha e donin Deanin. Kur erdhi Real Madridi, ishte një vendim i lehtë. Kishte shumë klube, por nuk kishte dyshime për Realin. Dean është tifoz i madh i Real Madridit”, tha Barat.
Huijsen me “Los Blancos” nënshkroi kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2030.
Reali i pagoi Bournemouthit 62 milionë euro për kartonin e Reprezentuesit të Spanjës.
Huijsen luan për Spanjën por është nga Holanda. Me Spanjën ka zhvilluar gjashtë ndeshje.