Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Barcelona synon ta japë “goditjen” përfundimtare për titull

El Clasico

Foto: Associated Press

“El Clasico” asnjëherë nuk është ndeshje e zakonshme. Por takimi i Barcelonës me Real Madridin të dielën nga ora 21:00, ka më shumë peshë se zakonisht.

Me 11 pikë më shumë se rivali, Barcelona e di se fitorja apo edhe barazimi në “Camp Nou”, do t’ia siguronte titullin e dytë rresht.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndryshe nga Barcelona, Real Madridi hyn në ndeshje me presion të lartë, pas përleshjeve mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. Valverde pësoi lëndim në kokë dhe nuk do të luajë për afro dy javë. Të dy lojtarët u dënuan nga klubi me gjobë prej 500 mijë eurove.

Për trajnerin e Real Madridit, Alvaro Arbeloa, sfida do të jetë që ta bashkojë grupin. Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është më i qetë në këtë drejtim, ndërsa do ta ketë edhe përkrahjen e shikuesve.

“El Clasico” e parë e sezonit i takoi Madridit që fitoi 2:1 në “Santiago Bernabeu”. Ajo ndeshje u luajt në rrethana të tjera, kur gara për titull ishte krejtësisht e hapur. Reali në atë kohë drejtohej nga Xabi Alonso, ndërsa tensionet ishin më pak të ekspozuara.

Kësaj radhe, situata është ndryshe. Barcelona e ka shansin ta fitojë La Ligan me fitore ndaj rivalit më të madh, ndërsa Madridi do të luftojë ta shtyjë festën.

Arbeloa në konferencën për shtyp të shtunën para ndeshjes së xhiros së 35-të, foli për situatën në klub dhe përleshjen mes dy lojtarëve.

“Lojtarët e kanë pranuar gabimin, kanë shprehur keqardhje dhe kanë kërkuar falje. Kjo mjafton për mua”, ka thënë Arbeloa.

“Faqja duhet të ndërrohet dhe t’u lejojmë atyre të luftojnë për këtë klub. Jam shumë krenar për ta. Nuk do të lejoj që profesionalizmi i tyre të vihet në dyshim”.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Real Madridit dhe Spanjës, ka thënë se të tilla raste në futbollin elitar, nuk janë të pazakonta.

“Kam pasur një bashkëlojtar që e ka goditur një lojtar tjetër me shkop golfi”, ka thënë 43-vjeçari.

“Ajo që ndodh në dhomat e zhveshjes së Real Madridit, duhet të qëndrojë aty, dhe kjo më dhemb më së shumti”.

Arbeloa iu referua incidentit gjatë kohës te Liverpooli në vitin 2007, kur Craig Bellamy dhe John Arne Riise, ishin përleshur gjatë kampit në Portugali. Bellamy e kishte sulmuar bashkëlojtarin me shkop golfi.

“Këto situata gjithmonë ndodhin, por nuk jam duke e justifikuar. Ishte një incident që për fatin tonë të keq përfundoi me lëndim të Fedes. Ishte më shumë fat i keq se ndonjë gjë tjetër”.

Trajneri i Madridit tha se është përgjegjës për situatën.

“Nëse është dikush për t’u fajësuar, ja ku jam”, tha ai.

Pavarësisht situatës, Arbeloa ka insistuar se fokusi është te ndeshja e së dielës.

“Do të luajmë në ‘Clasico’ me ambicien për të bërë gjëra të mira dhe të fitojmë”.

Te Barcelona është situatë shumë e qetë. Klubi ka shpërndarë disa fotografi e video nga stërvitjet e kësaj jave. Lojtarët janë të relaksuar e të bashkuar.

“Ne duam ta fitojmë titullin e dytë rresht. Do të ishte e shkëlqyer. Nuk është normale këtu në Spanjë. E dimë se si do të luajmë. Duam të fitojmë në shtëpi. Tifozët na përkrahin. Për këtë, ‘Clasico’ është i rëndësishëm për të gjithë”, ka thënë Flick, i cili nuk ka dashur ta komentojë në detaje situatën te Reali.

“Këto gjëra ndodhin gjithkund në botë. Isha pak i befasuar por në fund të fundit, nuk më intereson sepse nuk është klubi im, dhe nuk kam pse të mendoj për këtë”.

Me fitore, Barcelona do t’i bënte 91 pikë dhe do të kishte rastin ta barazonte rekordin e 100 pikëve, pasi deri në fund të kampionatit mbesin edhe tri xhiro.

Kjo u arrit fillimisht nga Real Madridi i Jose Mourinhos në edicionin 2011/12, para se të barazohej nga Barcelona e Tito Vilanovas një vit më vonë.

Asnjë skuadër tjetër nuk e ka arritur këtë sukses.