Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Barcelona e Liverpooli shpresojnë në rikthimet e mëdha

barca

Epërsia prej dy golave është goxha e madhe në futboll, por në të njëjtën kohë edhe jep shpresë për rikthim të kundërshtarit.

Pikërisht 2:0 i humbën ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Barcelona e Liverpooli. Për më tepër, Barça humbi në shtëpi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe tani lideren e La Ligas e pret ndeshje shumë e vështirë në Madrid ndaj Atleticos.

Ndeshja e kthimit çerekfinale mes Atletico Madridit dhe Barcelonës zhvillohet të martën prej orës 21:00, në “Metropolitano”.

Dy skuadrat janë përballur shpesh së fundi dhe e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. Motivimi po ashtu është maksimal në të dyja palët.

“Bashkëlojtarët e mi janë jashtëzakonisht të motivuar. Është normale që te Barcelona besojnë se mund të kthehen. Do të ishte e pazakontë nëse nuk do të besonin këtë. Ne jemi të entuziazmuar që të luajmë një ndeshje të madhe ndaj një rivaleje të madhe, në stadiumin tonë”, ka thënë mesfushori i Atleticos, Koke.

Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, ka theksuar se i njohin kundërshtaren dhe forcën e saj.

“Por po ashtu jemi të vetëdijshëm për objektivin që kemi, e që është të avancojmë në gjysmëfinale”, ka theksuar Simeone.

Barcelona po marshon drejt titullit në La Liga, por ka synime edhe për sukses në Evropë. Megjithatë largimi me kokën lart nga stadiumi i zjarrtë në Madrid nuk do të jetë lehtë i arritshëm.

“Të gjithë lojtarët e Barcelonës kanë shumë kualitet. Mendoj se kemi ekip me plot lojtarë që mund ta kthejnë sfidën në të mirën tonë. Kam besim”, ka thënë ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal.

Ai ka premtuar luftë deri në fund.

“E premtojmë këtë. Do të bëjmë çdo gjë për këtë stemë. Do të jetë ndeshje e 90 minutave apo më shumë. Nuk ka përfunduar asgjë. Është shumë e mundur që të kthehemi dhe për këtë jemi këtu”, ka shtuar 18-vjeçari Yamal.

Liverpooli e kërkon rikthimin në stadiumin e tij, Anfield. Parisienët janë dukur të pandalshëm në ndeshjen e parë, ndërsa pushuan në fundjavë në mënyrë që të jenë sa më gati për ndeshjen në Liverpool.

“E kemi dëshmuar shumë herët gjatë gjithë edicionit se në ndeshje të mëdha jemi në gjendje të bëjmë paraqitje të mëdha. Ka besim në skuadër se mund të bëjmë diçka të veçantë nesër. Por duhet të jemi shumë, shumë special për të arritur këtë, pasi po luajmë kundër kampionit evropian. Kjo e bën synimin më të ndërlikuar, por jo të pamundur”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.

Dy çerekfinalet e tjera zhvillohen të mërkurën mbrëma. Priten të jenë dy mbrëmje të tjera të paharrueshme me futboll evropian.