Barcelona do të kërkojë të kthehet në krye të La Ligas, duke shpresuar në një gabim të Real Madridit.
Barça është në pozitën e dytë me 19 pikë, ndërsa Reali ka dy pikë më shumë në vendin e parë.
Gjiganti katalunjas të shtunën nga ora 16:15 e pret Gironan, në kuadër të javës së nëntë të kampionatit spanjoll.
Barça ka dy humbje rresht. Xhiron e kaluar u mposht nga Sevilla. Ndërsa më 1 tetor disfatë pësoi nga Paris Saint-Germaini në “Champions”.
Skuadra që drejtohet nga trajneri Hansi Flick, Barça, është duke u përballur edhe me mungesa të shumta të futbollistëve.
Aktualisht të lënduar janë Joan Garcia, Gavi, Robert Lewandowski, Dani Olmo, Ferran Torres, Raphinha dhe Marc-Andre ter Stegen.
Shumica prej këtyre futbollistëve luajnë në formacionin startues te Barça.
Girona nuk është në momentin më të mirë. Ka vetëm gjashtë pikë në pozitën e 18-të.
Barça ka fituar vetëm dy nga pesë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Gironas.
Ndërkohë Reali të dielën nga ora 21:00 luan në udhëtim te Getafe.
Reali synon që ta ruajë pozitën e parë në tabelë. Këtë edicion ka shtatë fitore dhe një humbje. Getafe ka 11 pikë në vendin e 11-të.
Klubi tjetër i madh në Spanjë, Atletico Madridi, të shtunën nga ora 21:00 e pret Osasunan.
Atletico ka 13 pikë në vendin e pestë kurse Osasuna ka tri pikë më pak në pozitën e 12-të.