Futboll

Ballkani kërkon fitore ndaj Drenicës së “papërshtatshme”

Ballkani

Ballkani do të mundohet që ndeshjen e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll ta shfrytëzojë për të dalë në krye të tabelës. Këtë e mundëson shtyrja e ndeshjes derbi mes Dritës dhe Prishtinës.

Ballkani të shtunën nga ora 13:00 luan në udhëtim ndaj Drenicës, në stadiumin “Bajram Aliu”, në Skenderaj. Skuadra suharekase është e dyta me 23 pikë, tri më pak se Prishtina, dhe tri më shumë se Drita që është e treta.

Drenica u është kthyer rezultateve pozitive, pas ecurisë prej katër humbjeve të njëpasnjëshme. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Bylbyl Sokoli fitoi ndaj Dritës dhe barazoi me Prishtinën e Re në xhirot e kaluara dhe tani zë vendin e shtatë me 15 pikë, një më shumë se Ferizaj që është i teti.

Sulmuesi i krahut te Ballkani, Almir Kryeziu, e vlerëson Drenicën.

“E kemi mundësinë që me fitore të dalim aty edhe ku e kemi vendin, në pozitën e parë. Por besoj që do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Drenica në shtëpi është kundërshtare e vështirë, por mendoj se e kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen. Shpresoj në një rezultat pozitiv”, ka thënë Kryeziu të premten për KOHËN.

Drenica në ndeshjen ndaj suharekasve do të jetë pa qendërmbrojtësin Granit Jashari dhe futbollistin e krahut të djathtë, Altin Vojvoda.

Në mungesë të këtyre dy futbollistëve, trajneri Sokoli parashikon ndeshje të vështirë. Por, ai ka theksuar se lojtarët do ta japin maksimumin për të marrë pikë ndaj Ballkanit.

“Do të jetë shumë vështirë për ne. Na mungojnë Granit Jashari dhe Altin Vojvoda. Përballë kemi ekip shumë cilësor, me futbollistë të shpejtë në sulm. Ne do të përpiqemi ta japim maksimumin për të marrë rezultat të favorshëm”, është shprehur Sokoli.

Ndeshja e parë e edicionit mes këtyre dy skuadrave, që i takoi xhiros së katërt, përfundoi me fitore të Ballkanit, 3:0.

Të shtunën në program është edhe ndeshja mes Llapit dhe Prishtinës së Re.

Ndeshjet Malisheva – Gjilani dhe Ferizaj – Dukagjini luhen të dielën. Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 13:00.

Derbi mes Dritës dhe Prishtinës është shtyrë pasi dy futbollistë të Dritës kanë marrë ftesë nga përfaqësueset. Portieri Faton Maloku u ftua nga Kosova, kurse mesfushori Salifu Ibrahim nga Benini.