Mediumet në Zvicër e kanë vlerësuar talentin Jonathan Asp Jensen të Grasshopperit si spektakolar si dhe futbollistin që mund t’i bëj konkurrencë Xherdan Shaqirit në këtë edicion.
Shaqiri, që luan te Baseli, dhe tinejxheri Asp-Jensen, kanë nga pesë gola të shënuar në këtë edicion të Superligës së Zvicrës.
Shaqiri është më lartë me kontribut, pasi ka shtatë asistime, tri më shumë se futbollisti danez i huazuar te Grasshopperi nga Bayern Munichu.
Pavarësisht se trajneri Gerald Scheiblehner e ka vlerësuar lartë talentin 19-vjeçar, ai nuk pajtohet me krahasimin që po bëhet.
“Është gjë shumë e mirë për ne dhe për të personalisht. Ai ka shfaqur kualitete këtu. Është shndërruar në lojtar që mund ta ndryshojë lojën, por në disa momente vendimtare ka humbur edhe disa topa. Ai mund të mësojë dhe të fitojë eksperiencë. Ndonjëherë duhet të shkaktosh faulle në disa momente. Shaqiri është ende shumë larg në krahasim me të. Por, e ardhmja i takon atij”, ka deklaruar Scheiblehner, shkruan të premten “Blick”.
