Futboll

Asllani e zhgënjyer për eliminimin, nuk flet për të ardhmen

asllani

Që në minutën e dytë, Kosovare Asllani e kaloi në epërsi 1:0 Suedinë ndaj Anglisë, kampiones në fuqi të Evropës. Suedia shënoi tjetër gol në minutën e 25-të. Kapitenia e Suedisë, Asllani, u zëvendësua në minutën e 77-të.

Menjëherë në minutën e 79-të, Anglia ngushtoi rezultatin në 2:1, ndërsa në minutën e 81-të barazoi në 2:2. Sa i takon rezultatit, zëvendësimi i Asllanit nuk doli i qëlluar. Shifrat më nuk ndryshuan. 
Dhe ndeshja çerekfinale e Euro 2025, që po zhvillohet në Zvicër, u vendos në mënyrë dramatike në penallti. Pas një serie interesante të penalltive, në gjysmëfinale kaloi Anglia.

Asllani ishte shumë e dëshpëruar pas ndeshjes. Më herët ajo kishte deklaruar se do të përshëndetet nga Suedia pas këtij Evropiani. 35-vjeçarja pas ndeshjes nuk e ka konfirmuar këtë. Në një mënyrë e ka lënë të hapur që të vazhdojë të luajë ende për Suedinë, ku tashmë është legjendë.

“Zbrazëti. Është gjëja e vetme që po ndiej momentalisht”, ka thënë Asllani. “Nuk kam një përgjigje për këtë për momentin. Vetëm po ndiej zbrazëti të madhe. Ende nuk po mund të besoj që jemi jashtë turneut”, ka shtuar ajo kur është pyetur nëse ishte ndeshja e fundit me Suedinë.

Plot 203 ndeshje i ka Kosovarja me Suedinë. Dhe plot 50 gola. 

Ajo ka startuar në të gjitha ndeshjet e Suedisë në Kampionate Evropiane që nga viti 2009 e tutje. Me 35 vjet e 353 ditë, është lojtarja më e vjetër që ka shënuar gol në çerekfinale të Kampionateve Evropiane. Është po ashtu e vetmja që është paraqitur në çdo çerekfinale të Kampionatit Evropian, prej se kjo fazë është përfshirë në turne, në vitin 2009. 

Vetëm gjashtë lojtare në histori kanë më shumë ndeshje se Kosovare Asllani në nivel përfaqësuesesh. Kjo e bën legjendë botërore në mesin e futbollisteve.

Megjithatë gjitha rekordet kishin pak rëndësi pas ndeshjes me Anglinë dhe eliminimit. Ajo nuk ka mundur të tregojë se çka shkoi keq. Është ndalur te periudha kur Suedia i pranoi dy gola të shpejtë.

“Kemi pasur fillim shumë të mirë të ndeshjes. Kemi shënuar dy gola të shpejtë. Më pas jemi mbrojtur mirë dhe në të njëjtën kohë kemi krijuar shanse. Të jem e sinqertë, nuk e di se çka shkoi keq në ata minuta kur ato shënuan dy gola të shpejtë. Nuk e di çka të them. Thjesht ndihem e zbrazët momentalisht. Kemi pasur ekip për ta fituar gjithë turneun. Nuk mund të pajtohem me këtë që ka ndodhur, që jemi jashtë. Nuk di çka të them”, ka theksuar Asllani.

E vazhdon karrierën me Suedinë apo jo, vepra e Kosovare Asllanit në futboll është shumë e madhe.